Gjykata e Posaçme e Apelit ka refuzuar kërkesën për liri të Zambak Gjonit dhe Arnold Rrokajt, dy të akuzuarit për hakerimin e e-maileve të prokurorëve të SPAK.
Sulmi kibernetik ndaj SPAK ndodhi më 12 mars, me hakerët që morën të dhëna nga e-mailet e tre prokurorëve specialë, por nuk ia dolën të përfitojnë materiale nga dosjet hetimore. Ata po ashtu tentuan që të ndërhyjnë në e-mailin e kryeprokurorit Altin Dumani, por sipas SPAK nuk kanë pasur sukses.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, sot më 22.04.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 28 akti, datë 14.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personave nën hetim Z.Gj., dhe A.Rr., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 32, datë 14.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi miratimin e Vendimit/Urdhrit nr. 32, datë 14.03.2025 të Gjykatësit që shqyrton kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftim.
Prokuroria e Posaçme sqaroi se hakerët nuk kanë mundur të depërtojnë në sistemin e brendshëm të IT, që sipas tyre mbetet i pacenuar. SPAK sqaroi pas arrestimit të Zambak Gjonit dhe Arnold Rrokajt kanë mundur të sekuestrojnë edhe pajisjet e përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët e shkarkuar. (A2 Televizion)