Hamasi ka pranuar pjesërisht propozimin e SHBA-së për armëpushim në Rripin e Gazës, duke rënë dakord të lirojë pengjet izraelite si të gjallë, ashtu edhe të vdekur sipas një formule shkëmbimi të ngjashme me atë të paraqitur nga Presidenti amerikan Donald Trump. Megjithatë, lëvizja kërkon negociata të mëtejshme mbi pikat kyçe që kanë të bëjnë me të ardhmen e Gazës dhe të drejtat e popullit palestinez.
Në deklaratën e tyre zyrtare, Hamasi shprehet:
“Ne vlerësojmë përpjekjet e Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës. Biem dakord të lirojmë të gjithë pengjet me qëllim arritjen e një armëpushimi të përhershëm. Jemi të gatshëm të hyjmë menjëherë në negociata për të diskutuar detajet. Biem dakord t’ia dorëzojmë administrimin e Rripit të Gazës një organi palestinez të figurave të pavarura dhe të palidhura.”
Plani 20-pikësh i propozuar nga Presidenti Trump, i dakordësuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, parasheh një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve dhe lirimin brenda 72 orëve të 20 pengjeve izraelite, në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë. Plani gjithashtu përfshin formimin e një komiteti palestinez teknokratik për administrimin e përkohshëm të Gazës, me mbikëqyrje ndërkombëtare nga një organ i quajtur “Bordi i Paqes”, që do të drejtohet nga vetë Trump.
Megjithatë, plani përjashton çdo rol të Hamasit në qeverisjen e ardhshme të rajonit dhe, megjithëse hap derën për një shtet palestinez, Netanyahu ka deklaruar se Izraeli “e kundërshton fuqimisht” një shtet të tillë.
Presidenti Trump i ka vendosur Hamasit një afat deri të dielën, në orën 18:00 (sipas kohës së Uashingtonit), për të pranuar planin në tërësi, duke paralajmëruar për “pasoja shumë të rënda” në rast refuzimi.
“Nëse kjo marrëveshje e mundësisë së fundit nuk arrihet, i gjithë ferri do të shpërthejë kundër Hamasit,” shkroi Trump në platformën Truth Social.