Show - Biz
Hansi Flick, një trofe çdo 11 ndeshje me Bayernin
Gjithçka po shkon për mrekulli për Hansi Flick në stolin e FC Bayern Munich.
Të enjten mbrëma, Bayerni rrëmbeu edhe një trofe.
Ani pse në shkurt të vitit 2021, ky trofe i takon vitit 2020 – por pandemia ka tollovitur gjithçka.
Sido që të jetë, në ndeshjen e 68 në stolin e Bayern, Flick arriti që të fitojë trofeun e gjashtë, duke rrëmbyer çdo trofe të mundshëm brenda një sezoni.
Me Bayernin, ai fiton trofe me një mesatare çdo 11 ndeshje.
Flick deri më tani ka fituar më shumë trofe, gjashtë me Bayernin, se sa ka pësuar humbje, vetëm pesë deri më tani.
Albania
Elozhi i kujtesës
nga Mira Meksi Shkrimtare
Shënime mbi romanin ‘Engram’të Brunilda Zllamit
Shpesh kam thënë se për t’u mirëdrejtuar në xhunglën ngalakeqe të botimeve të sotme letrare, duhet feneri i filozofit cinik Diogjenit. Ndërsa ai kërkonte ‘njeriun’, sot kërkohet ‘libri letrar’. As me këtë fener në dorë nuk është e lehtë të gjendet. Mbetesh gjembaçve dhe drizave të botimit të gjithkujt që, me mendjelehtësi fëmijërore, a me shpresë se do të bëhet i pavdekshëm, i futet mjeshtërisë së tejvështirë të shkrimësisë, pa patur as më të voglën përgatitje, dhe pa asnjë grimcë talenti. Rezultati është një tmerr i vërtetë, i cili jo vetëm e ka qorollisur lexuesin, që po thyen këmbët hendekëve të librave të shkruar tmerrësisht keq, duke ia neveritur letërsinë shqipe, por edhe po dëmton rëndë gjuhën shqipe.
Në këtë panoramë të zezë të letërsisë së sotme shqipe, ka sigurisht libra të shkruar shumë mirë dhe mirë, që feksin si dritëza në errëtinë e kësaj panorama, dhe që japin shpresë për të ardhmen e letërsisë së gjuhës sonë. Ndër këto të pakta drita, për mua, është edhe romani më i fundit i shkrimtares së njohur Brunilda Zllami, Engram. Romani është realist, siç janë në përgjithësi romanet e kësaj autoreje, me elementë të shumtë dhe të spikatur të romanit psikologjik. Trajton tema, ngjarje, probleme dhe plagë të shoqërisë së sotme shqiptare, por edhe më gjerë – probleme që prekin vetë Njeriun.
Janë përsiatje mbi marrëdhëniet prind-fëmijë, mbi botë që nuk afrohen, përkundrazi: një baba që mundohet të formësojë jetën e të birit në çdo aspekt, sikur të ishte jeta e tij, apo ajo pjesë e jetës së tij që e kish dëshëruar pa e arritur dot kurrë. Duke e damkosur kësisoj jetën e të birit me fatkeqësi.
Janë përsiatje mbi hipokrizinë njerëzore, arrivizmin, moralin e nëpërkëmbur, etjen e shfrenuar për pushtet, për para- fëlligështia e njeriut e ngritur në lartësinë e vlerës në shoqërinë moderne shqiptare.
Janë përsiatje mbi dashurinë, të gjitha llojet e dashurisë: dashuritë e pamundura, të rrezikuara, dashuritë e zhbëra, ato të pavërteta, dashuritë e helmëta, dashuritë jetëshkurtra, dhe ato që lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirt. Dashuritë që të shpëtojnë jetën dhe ato që të vrasin…
Janë përisatje mbi pendesën: ‘Pendimet janë të rënda. Si gurë të çrregullt futur në një trastë që je i detyruar ta mbash në supe…..Pendimet janë të hidhura. Si lot që nuk ke derdhur, si fjalë që s’kanë buruar prej teje, si ofshama që i ke mbytur brenda’.( Engram)
Janë përsiatje mbi përballjen e njeriut me sëmundjen, me pafuqinë, me bjerrjen e trupit dhe shpirtit, me humbjen e Kujtesës. Me keq se vetë vdekja.
Janë përsiatje mbi vetsakrifikimin për të mbrojtur me vdekje dashurinë që zhbëhet nga sëmundja.
Mjeshtre e zhbirimit të psikës njerëzore, Zllami prek tejzat e trurit, pret me bisturi, rrëmon lëndën gri për të gjetur djepin, skutën, matricën e Kujtesës. Engramin. ‘ Ku jetojnë kujtimet? Në mendje, shpirt, pafundësi? Janë vetëm pjesë e qenies sonë, apo një pjesëz e koshiencës universale? Çfarë është njeriu pa kujtime?’. ‘Çfarë janë engramët? Pyet autorja dhe përgjigja vjen: ‘Janë vendi ku ruhen kujtimet’( Engram)
Personazhet në roman janë të shumtë, gjallojnë në Londër dhe Tiranë. Autorja përdor një strukturë që ka dalë të jetë e suksesshme në romanet e saj: kapituj sërë-sërë ndërtojnë secili nga një personazh, të ri gjithsaherë, si rrezet e një dielli, që konvergojnë në diell, pra në një pikë – arena ku bashkëveprojnë me njëri-tjetrin.

Pjesa më e madhe e ngjarjeve rrëfehet në retrospektivë, me anë të kujtesës a kujtimeve. Pjesët onirike të librit, sentencat e tij mbi gjithë sa thamë më sipër, janë të mrekullueshme.
Larg së qeni optimist, romani të mëkon gjithsesi me shpresën, të cilën e vendos pikërisht në ENGRAM:
‘Kujtimet janë vetja jonë. Ato na mbajnë kur mund të biem, na ngrenë kur rrëzohemi, na kthejnë në jetë kur vdesim. Të endura nga engramët si fatkrijueset e dikurshme…Janë ato që shkruhen me bojën e yjeve që na krijuan, e mbeten edhe kur jemi larguar’.( Engram)
Romani ‘Engram’, i pazakontë, i rrallë në llojin e vet, ka një gjuhë të pasur dhe fort të limuar, një shqipe të stolisur me metafora dhe fjalëformime elegante, e cila është në gjendje të mbartë dhe të na përçojë emocione të mëdha.
Albania
“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
Dom Mark Pashkja, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, foli në lidhje me Krishtlindjet dhe mënyrën se si festoheshin ato në kohën e komunizmit, kur feja ishte e ndaluar.
Ai tregoi për një fenomen interesant që ndodhte në ato kohë në zonat e Shkodrës, ku shumë familje katolike shkonin te ato myslimane dhe u kërkonin që ato të përgatisnin ëmbëlsirat dhe gatimet për festën e Krishtlindjes, pasi vetë ato monitoroheshin.
“Shumë familje katolike shkonin te miqtë myslimanë dhe u thoshin që ëmbëlsirat dhe ushqimet tipike t’i përgatisnin ata dhe më pas, në mënyrë të fshehtë, një ose dy ditë para festës, familjet myslimane ua çonin familjeve katolike. Në këtë mënyrë festonin pa rënë në sy. Nuk mund të bënin vetë ëmbëlsira, pasi kjo ishte shenjë se po festoje dhe se nuk i kishe përqafuar mësimet e partisë dhe ateizmin, ku kisha konsiderohej armike e proletariatit. Ishte një natë ku shqiptarët provonin ato copëza aromash lirie, pasi festonin diçka që e kishin identitare, si lidhjen me Zotin. Në këto net, si Krishtlindjet, ishte hera e parë kur njeriu provonte të përtejmen, pavarësisht se unë vetë nuk e kam përjetuar”, tha ai.
Bota
Legjenda e ekranit francez, Brigitte Bardot ndërron jetë në moshën 91-vjeçare
Brigitte Bardot, aktorja dhe këngëtarja franceze që u bë një seks-simbol ndërkombëtar përpara se t’i kthente shpinën industrisë së filmit për t’u bërë aktiviste për të drejtat e kafshëve, ka ndërruar jetë në moshën 91 vjeç.
Bardot fitoi famë ndërkombëtare me filmin e vitit 1956 “Dhe Zoti Krijoi Gruan”, shkruar dhe drejtuar nga bashkëshorti i saj i atëhershëm, Roger Vadim, dhe për dy dekadat e ardhshme mishëroi idenë e “koteles së seksit” arketipe. Megjithatë, në fillim të viteve ’70, ajo njoftoi tërheqjen e saj nga aktrimi dhe u bë gjithnjë e më aktive politikisht. Mbështetja e saj e hapur për të drejtat e kafshëve, evoluoi në komente nxitëse rreth pakicave etnike dhe mbështetje të hapur për Frontin Nacional të ekstremit të djathtë të Francës, duke rezultuar në një sërë dënimesh për urrejtje racore.
E lindur në vitin 1934 në Paris, Bardot u rrit në një familje të begatë dhe tradicionale katolike, por shkëlqeu mjaftueshëm si balerinë saqë iu lejua të studionte balet, duke fituar një vend në Konservatorin prestigjioz të Parisit. Në të njëjtën kohë ajo gjeti punë si modele, duke u shfaqur në kopertinën e Elle në vitin 1950, ndërsa ishte ende 15 vjeç. Si rezultat i punës së saj si modele, asaj iu ofruan role filmash; në një audicion ajo takoi Vadim-in, me të cilin do të martohej në vitin 1952, pasi mbushi 18 vjeç. Bardot u zgjodh në role të vogla, me një rëndësi gjithnjë e më të madhe; ajo luajti interesin e dashurisë së Dirk Bogarde në Doctor at Sea, një hit i madh në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1955.
Por ishte filmi i Vadim dhe Zoti e krijoi gruan, në të cilin Bardot luajti rolin e një adoleshenteje të lirë në Saint-Tropez, që e konsolidoi imazhin e saj dhe e shndërroi atë në një ikonë ndërkombëtare. Filmi ishte një hit i madh në Francë, si dhe në nivel ndërkombëtar, dhe e katapultoi Bardot në radhët e para të interpretueseve franceze të ekranit.
Përveç audiencës së kinemasë, Bardot u bë shpejt një frymëzim për intelektualët dhe artistët; jo më pak për të rinjtë John Lennon dhe Paul McCartney, të cilët kërkonin që të dashurat e tyre të asaj kohe t’i lyenin flokët biondë në imitim të saj. Kolumnisti Raymond Cartier shkroi një artikull të gjatë rreth “le cas Bardot” në Paris-Match në vitin 1958, ndërsa Simone de Beauvoir botoi esenë e saj të famshme Brigitte Bardot dhe Sindroma e Lolitës në vitin 1959, duke e paraqitur aktoren si gruan më të çliruar të Francës. Në vitin 1969, Bardot u zgjodh si modelja e parë e jetës reale për Marianne, simbolin e republikës franceze.
Në filli të viteve 1960, Bardot u shfaq në një sërë filmash francezë të profilit të lartë, duke përfshirë dramën e Henri-Georges Clouzot, e nominuar për çmimin Oscar, “The Truth”, “Very Private Affair” të Louis Malle (përballë Marcello Mastroianni-t) dhe “Contempt” të Jean-Luc Godard. Në gjysmën e dytë të dekadës, Bardot pranoi një numër ofertash nga Hollywood-i: këto përfshinin “Viva Maria!”, një komedi të periudhës me xhirim në Meksikë me Jeanne Moreau, dhe “Shalako”, një film western me Sean Connery.
Bardot pati gjithashtu një karrierë paralele muzikore, e cila përfshinte regjistrimin e versionit origjinal të këngës “Je T’Aime… Moi Non Plus” të Serge Gainsbourg, të cilën Gainsbourg e kishte shkruar për të ndërsa kishin një lidhje jashtëmartesore. (E frikësuar nga skandali pasi bashkëshorti i saj i atëhershëm, Gunter Sachs, e zbuloi, Bardot i kërkoi Gainsbourg të mos e publikonte; ai vazhdoi ta riregjistronte atë me Jane Birkin, duke arritur një sukses të madh komercial.)
Megjithatë, Bardot e gjeti presionin e famës gjithnjë e më bezdisës, duke i thënë gazetës Guardian në vitin 1996 : “Çmenduria që më rrethonte gjithmonë dukej joreale. Nuk isha kurrë vërtet e përgatitur për jetën e një ylli.” Ajo u tërhoq nga aktrimi në vitin 1973, në moshën 39 vjeç, pasi realizoi romancën historike “Historia Ndërtuese dhe e Gëzuar e Colinot”. Fokusi i saj kryesor u bë aktivizmi për mbrojtjen e kafshëve, duke iu bashkuar protestave kundër gjuetisë së fokave në vitin 1977 dhe duke themeluar Fondacionin Brigitte Bardot në vitin 1986.
Më pas, Bardot u dërgoi letra proteste udhëheqësve botërorë për çështje të tilla si shfarosja e qenve në Rumani, vrasja e delfinëve në Ishujt Faroe dhe masakra e maceve në Australi . Ajo gjithashtu shprehu rregullisht pikëpamjet e saj mbi masakrën fetare të kafshëve. Në vitin 2003, në librin e saj “Një britmë në heshtje “, ajo përkrahu politikën e krahut të djathtë dhe sulmoi burrat gej dhe lezbiket, mësuesit e shkollave dhe të ashtuquajturin “islamizim të shoqërisë franceze”, duke rezultuar në një dënim për nxitje të urrejtjes racore.
Bardot kishte një histori të gjatë në mbështetjen e Frontit Nacional të Francës (i cili që atëherë është riemëruar Tubimi Kombëtar), duke i thënë gazetës Guardian: “Lidhur me rritjen e tmerrshme të emigracionit, unë i ndaj plotësisht pikëpamjet e [Jean-Marie Le Pen].” Në vitin 2006, një letër drejtuar ministrit të brendshëm të atëhershëm, Nicolas Sarkozy, thoshte se popullsia myslimane e Francës po “shkatërronte vendin tonë duke imponuar veprimet e saj”.
Bardot u martua katër herë: me Vadim midis viteve 1952 dhe 1957, me Jacques Charrier midis viteve 1959 dhe 1962 (me të cilin pati një djalë, Nicholas, në vitin 1960), me Sachs (1966-1969) dhe me ish-këshilltari e Le Pen, Bernard d’Ormale, me të cilin u martua në vitin 1992. Ajo gjithashtu pati një numër marrëdhëniesh të profilit të lartë, duke përfshirë ato me Jean-Louis Trintignant dhe Gainsbourg./ The Guardian.
-
Albania1 day agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania7 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania7 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
UK1 day agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania8 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK7 hours ago
Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Bota7 hours agoPresidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump
-
Kosova6 hours agoNumërohen 81% e kutive të votimit në Kosovë: Albin Kurti drejt mandatit të tretë si kryeministër
