Aviokompania Lufthansa ka njoftuar autoritetet e Kosovës se do ta hapë linjën ajrore Prishtinë – Beograd në një të ardhme shumë të afërt.
Kjo është bërë në një ceremoni në Ambasadën Amerikane në Berlin, në prezencën e ambasadorit Richard Grenell, në të cilën përfaqësuesit e kompanisë Lufthansa ia kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për këtë synim dhe kërkojnë që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet tjera.
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, është shprehur se kjo letër është një hap tjetër përpara në angazhimin e institucioneve të Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore në Kosovë.
“Me këtë vihet kontakti në mes dy autoriteteve të aviacionit civil, në mes të Kosovës dhe Serbisë, si partnerë të barabartë”, u shpreh Berisha.
“Por, ky është hap i parë drejt normalizimit të plotë të hapësirës ajrore të Kosovës dhe hapjen e korridoreve ajrore me gjitha shtetet përreth saj. Nga kjo do të përfitojnë më së shumti qytetarët e Kosovës që shfrytëzojnë shërbimet e Aeroportit të Prishtinës”, shtoi ai.
Berisha u shpreh mirënjohës për Ambasadorin Grenell, për administratën amerikane, për NATO-n dhe për KFOR-in për mbështetjen e tyre në përpjekjet e Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore dhe të trafikut ajror në Kosovë.
Prezent në konferencën për media në Berlin, ku u njoftua publiku për këtë çështje, ishte edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Trump, Robert O’Brien.
Për këtë ka shkruar përmes Facebook-ut edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Ai tha se kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
“E mirëpres nënshkrimin e Letrës së Qëllimit ndërmjet kompanisë ajrore prestigjioze gjermane “Lufthansa” dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, e cila mundëson hapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd. Sigurisht që kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, në emër të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve tanë, shpreh mirënjohjen e thellë për ambasadorin e SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, si dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien, për kontributin e tyre për këtë marrëveshje, e cila pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në të ardhmen”, tha presidenti.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, në anën tjetër ka thënë se kjo gjë mund të realizohet pas largimit të taksës ndaj mallrave serbe dhe pas rifillimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Përpos 12 autobusëve që i lidhin rregullisht Beogradin dhe Prishtinën, ne poashtu mund të kemi një linjë ajrore në të ardhmen”, tha Gjuriq.
Sipas tij, zyrtarët e Beogradit do t’i njoftojnë UNMIK-un dhe KFOR-in për këtë qëllim.