Presidenti i Francës, Emanuel Macron, po qëndron për një vizitë dy ditore në Serbi. Ai të hënën është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic, me të cilin kanë diskutuar për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Macron është zotuar që do të rinisë bisedimet mes dy shteteve, ndërkohë ka përmendur edhe kompromisin, si mundësi për të shkuar drejt finales.
E për këto deklarata të Macron, ka folur sot kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se një deklaratë e tillë e presidentit të Francës është në cilësinë e këshillave, mbase nuk mund të ketë nevojë fare për kompromis.
“Vlerësimi për kompromis është në logjikat e një këshille që jepet në këto raste. Dhe mendoj që nuk bën përjashtim. E falendërojmë presidentin Macron për sinqeritet të shprehur, kur tha se Kosova dhe Serbia janë dy shtete evropiane, me perspektivë evropiane, mendoj se kjo shpjegon shumë”. Është në logjikën e këshillave, nuk është një përshkrim i asaj se cfarë mund të jetë kompromisi , por është një këshillë e zakonshme që të gjejmë një kompromis, . Mund të jetë kompromisi i një anshëm, i dy anshëm, ose i asnjërës sepse s’ka nevojë. Kjo gjuhë është diçka e logjikshme”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media.
Ai ka thënë se Kosova është e gatshme për të bërë kompromis me Serbinë, siç potencon ai për ta hequr taksën në këmbim të njohjes reciproke në kufijtë ekzistues.
“Tani nëse flasim kompromis, nëse e hekim taksën në shkëmbim të njohjes. Nuk është se nuk po bëjmë kompromis. Kompromis i madh është. Edhe mund të jetë kjo kompromis, hekja e taksës. Ndërsa ajo që ka kërku Kosova është shumë bazike. Ne kemi kërkuar një kornizë marrëveshje, për njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj.
Kryetari i Qeverisë thotë se duhet hartuar një marrëveshje kornizë, për të cilën duhet negociuar, dhe asgjë përtej saj.
Por thotë që është e papranueshme për Serbinë dhe një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare të quhet ‘njohje reciproke në kufijtë ekzistues’
“Kjo kornizë marrëveshje duhet të jetë ajo për të cilën negociojmë dhe s’ka tjetër. Hezitimi është se Serbia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare po thotë nuk mundemi me ia ngjit emrin, njohje reciproke në kufijtë ekzistues” ka shtuar ai.
Sipas kryeministrit mospranimi i këtij fakti, i bjen një këshillim për Kosovën që të armatoset, pasi që Serbia po blenë armë nga Rusia e edhe nga Franca.
“Kjo po i bjen, që po na këshillojnë edhe neve me ble armë. Se Serbinë po e armatosin, Po blenë armë në Rusi, edhe Franca e bëri një kontratë me Serbinë për sisteme raketore, dhe neve po na thojnë se nuk mundemi me ia ngjit emrin marrëveshjes se është njohja reciproke në kuijtë ekzistues. Mirë çka të bëjmë ne pra. Ne jemi shtet i pavarur. S’kërkojmë asgjë përveç njohjes reciproke. Nëse nuk jeni gati për të, a është porosi edhe për ne që të armatosemi. Nuk ka shumë hapsirë këtu në mes. Ne kemi kërkesë shumë bazike”. Ka thënë Haradinaj.
Ai është i vendosur që Kosova nuk kthehet në dialog pa pasur një marrëveshje kornizë për njohje në kufijtë ekzistues.
“Nuk ulemi në tavolinë pa një kornizë marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë ekzistues”
Sipas tij angazhimi i Macronit, mund ta rikthejë Serbinë në tavolinën e bisedimeve edhe pa e hequr Kosova taksën.
“Ky angazhim mund ta kthejë në tavolinë edhe pa u hequr taksa. Mund ta kthejë dhe shpresoj të jetë kështu” ka thënë ndër të tjera ai.