Bartësi i listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për zgjedhjet e 14 shkurtit, Ramush Haradinaj, që synon Presidencën pas këtij procesi, ka qëndruar në Pejë, ku ka takuar strukturat e nëndegëve të këtij qyteti. Ai ka folur edhe për sfidat e Kosovës përfshirë edhe dialogun me Serbinë.
Pjesë e diskutimit të Haradinajt ishte edhe idea e shpalosur nga ai së fundmi për bashkimin kombëtar.
“Serbia edhe Rusia po provojnë ta mbajnë Kosovën të bllokuar. Ata thonë: “Mbaje sa më gjatë kështu si është se dorëzohet Kosova dhe bën kompromis”. Bashkësia ndërkombëtare nuk po gjen mënyra si ta ndryshojë gjendjen. Kemi mbetur gati në situatë pezull. Amerika, Evropa, ata që na duan po thonë se është shumë e rëndësishme njohja e Serbisë. Kurrë se marrim njohjen duke i dhënë Serbisë. Nuk ngopet Serbia”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje lideri i AAK’së, theksoi se Kosova nuk ka zgjidhje tjetër përpos referendumit për bashkimin me Shqipërinë.
“Ne duhet të themi se ne kërkojmë të hymë në NATO si Kosovë si shtet i pavarur. Nuk na mbetet tjetër pos referendum për bashkim me Shqipërinë nëse na pamundësohet ajo. Është real që mund të ndodhë bashkimi nëse vazhdon bllokada që po i bëhet Kosovës. Këtë duhet ta dëgjojnë miqtë dhe ata që po na bllokojnë. 14 shkurti është referendum ‘për Kosovën në NATO’, që del nga rrethimi që ia kanë bërë Serbia dhe Rusia”, ka deklaruar më tutje ai.
Për këtë çështje është deklaruar sot edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti është shprehur se Kosova duhet ta ketë të drejtën e referendumit. Kryetari i Vetëvendosjes tha se Kosova nuk do të shkaktojë luftë të tretë ballkanike në mënyrë që të ndodh bashkimi me Shqipërinë.