Ish- kryeministri i Kosovës, njëkohësisht edhe kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar, në lidhje me situatën më të fundit me të cilën po përballet Kosova, jo vetëm sa i përket dinamikës së ngjarjeve në veri të saj, por edhe në raport me aletatët perëndiomor, SHBA- BE.
Sipas tij, Kosova po kalon momente të vështira, për shkak të kryeneçësisë së Kryeministrit dhe pavendosmërisë së Presidentes.
“Kosova po kalon momente vendimtare e as ata e as ndjekësit e tyre, nuk janë duke e kuptuar rrezikun që paraqet izolimi nga aleatët perëndimorë, si dhe veprimet që janë përmbysje e gjithë asaj që është arritur deri më sot”- shkruan Haradinaj, në rrjetin e tij social, Facebook.
Sipas tij, hezitimi që të pranohen sugjerimet e partnerëve tanë strategjikë, posaçërisht ShBA-së, në një situatë kaq vendimtare, mund të kenë pasoja të rënda për vendin.
“Kryeministri e ka momentin e fundit të heqë dorë nga kursi i mosveprimit e të kalojë në anën e duhur. Vetëm kështu, e të koordinuar me Amerikën dhe BE-në, fitohet beteja e finale me Serbinë. Është thirrja ime e fundit që Kryeministri dhe Presidentja të rreshtohen me aleatët dhe ta mbyllim njëherë e përgjithmonë marrëveshjen me njohje reciproke me Serbinë. Mos e përjashtoni veten nga ky proces“- apelon Haradinaj për kryeministrin Kurti dhe presidenten, Osmani.