Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ia ka bërë nëntë pyetje kryeministrit Albin Kurti, të cilat kanë të bëjnë me krizën energjetike në vend.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, e ka pyetur kryeministrin Kurti se pse po dështon me ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike në vend; pse ka refuzuar gazin amerikan dhe pse po refuzon formimin e Komisionit hetimor për blerjen e energjisë.
Postimi i plotë i Haradinajt:
“Pse po dështon ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike në vend?
Pse ka dështuar Kosova C?
Pse ka dështuar Kosova e Re?
Pse ka dështuar remonti i termocentraleve i paraparë të kryhej gjatë verës?
Pse janë paguar dhjetëra milionë për blerjen e rrymës me çmime astronomike gjatë dimrit?
Pse paguhen dhjetëra milionë të tjerë për rrymën e vjedhur në veri?
Pse është refuzuar gazi amerikan?
Pse e ke refuzuar komisionin hetimor për blerjen e energjisë?
Pse njeriu yt po përflitet të jetë pjesë e skandalit financiar të një kompanie mafioze energjetike?
Fol Kryeministër. Shpjegoja popullit ku je ti në këtë histori?”, ka shkruar Haradinaj, transmeton Telegrafi.
Që nga shkaktimi i krizës energjetike, si pasojë e së cilës, Qeveria lejoi që ZRrE të ngrisë çmimin e energjisë elektrike në vend, Qeveria Kurti është akuzuar për keqmenaxhim të krizës.
Ndryshe, në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 19 prill, nuk ka kaluar mocioni procedural i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për futjen në rend dite formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike.
Menjëherë pas kësaj, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se nuk do të marrin pjesë më në seanca të radhës të Kuvendit deri në formimin e këtij Komisioni.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri gjithashtu tha se edhe PDK nuk do të merr pjesë në asnjë votim deri në formimin e këtij Komisioni.
Seancën e ka lëshuar edhe Grupi Parlamentar i AAK-së.