Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas pjesëmarrjes në sesionin e përbashkët të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku presidenti amerikan Donald Trump mbajti fjalimin vjetor, ka thënë se Kosova e ka të qartë rrugëtimin përpara në partneritet me SHBA-në.
Sipas Haradinajt, vizioni i presidentit Trump për sigurinë, ekonominë, demokracinë dhe progresin është shpresë për popujt dhe shtetet demokratike.
“I nderuar të jem i ftuar i posaçëm në fjalimin vjetor të Presidentit të SHBA Donald Trump adresuar në sesionin e përbashkët të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, të njohur si State of the Union. Fjalimi i Presidentit Trump ishte shprehje e qëndrimit se Shtetet e Bashkuara janë lider global në siguri, ekonomi, demokraci dhe progres. Ky vizion i Presidentit Trump dhe administratës së tij është një siguri dhe shpresë për të gjithë popujt paqedashës dhe shtetet demokratike. Kosova e ka të qartë rrugëtimin, e ky rrugëtim është në rresht dhe partneritet me SHBA. Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook.