Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me anë të një statusi në Facebook, shkruan se Kosova po kalon momente të vështira, për shkak të kryeneçësisë së kryeministrit Albin Kurti dhe pavendosmërisë së presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Ish-kryeministri Haradinaj ka shkruar në Facebook se Kosova po kalon momente vendimtare e as ata e as ndjekësit e tyre, nuk janë duke e kuptuar rrezikun që paraqet izolimi nga aleatët perëndimorë dhe veprimet që janë përmbysje e gjithë asaj që është arritur deri më sot.
“Hezitimi që të pranohen sugjerimet e partnerëve tanë strategjikë, posaçërisht ShBA-së, në një situatë kaq vendimtare, mund të kenë pasoja të rënda për vendin”, ka shkruar ai.
Haradinaj ka thënë se kryeministri Kurti e ka momentin e fundit të kalojë në anën e duhur, dhe kjo është thirrja e tij e fundit për të.
“Kryeministri e ka momentin e fundit të heqë dorë nga kursi i mosveprimit e të kalojë në anën e duhur. Vetëm kështu, e të koordinuar me Amerikën dhe BE-në, fitohet beteja e finale me Serbinë. Është thirrja ime e fundit që Kryeministri dhe Presidentja të rreshtohen me aleatët dhe ta mbyllim njëherë e përgjithmonë marrëveshjen me njohje reciproke me Serbinë. Mos e përjashtoni veten nga ky proces”, ka shkruar ai.