Haradinaj: Shqiptarët edhe sot kanë nevojë për idealistë si Anton Çetta

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe dhe ka marrë pjesë në shënimin e 30- vjetorit të Nismës për Pajtimin e Gjaqeve në Lumbardh të Komunës së Deçanit.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se pajtimi që nisi në Lumbardh të Deçanit, nga atdhetarët, 30-vjet ma parë, u përqafua në të gjithë Kosovën dhe nga të gjitha shtresat, ngase shqiptarët sikur e parandien se momenti i të vërtetës po afrohej.

E kjo e vërtetë, sipas tij, ishte kryengritja e përgjithshme për liri e pavarësi, që u zhvillua nën udhëheqjen e UÇK-së e që e simbolizon komandanti ynë Adem Jashari.

“Kjo besëlidhje e menduar nga intelektualë të urtë, prirë nga Anton Çetta, u ndoq nga rinia e Kosovës, nga të burgosurit politikë, nga shumë veprimtarë për të kulmuar me tubimin më të madh që njihet në historinë e shqiptarëve, te Verrat e Llukës, më 1 maj 1990, aty ku u mblodhën gjysmë milioni njerëz dhe ku për pak orë u pajtuan 66 gjaqe e ngatërresa mes shqiptarëve”, shtoi Haradinaj.

Siç, theksoi ai, besëlidhjet shqiptare zakonisht u paraprijnë betejave të ashpra për jetë a vdekje, që nga Kuvendi i Lezhës i marsit 1444, deri te Lidhja e Pejës dhe ajo e Prizrenit, e qershorit 1878, si dëshmi se shqiptarët dinë të bashkohen për ta mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e Atdheut.

“Si dikur komandanti i ushtrisë së Lidhjes, Sylejman Vokshi që i priu përpjekjeve për liri, profesor Anton Çetta u ngrit e tha: ‘Hajdeni burra, po bëjmë diçka për këtë vend’, duke i pajtuar rreth 1800 gjaqe dhe mijëra plagë e ngatërresa”, u shpreh kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se Anton Çetta ishte unifikues, zbulues i shpirtit të popullit dhe autoritet moral.

“Ai mbylli plagën ma të shëmtuar tonën, gjakmarrjen, tu i hap shteg paqes shqiptare dhe kthimin në familjen tonë euroatlantike. Pranë profesor Antonit, njeriu ndihej se kishte vlerë. Për t’u lidhë rreth idesë së çlirimit duhej me e lidhë një pakt, një pajtim mes shqiptarëve, që Profesor Çetta e arriti në mënyrë shembullore”, theksoi Haradinaj, bëhet e ditur përmes një njoftimi për media.

Ndër tjerash Haradinaj shtoi se Anton Çetta e ka zbërthyer kodin e fjalës së dhënë, besën, duke i bërë burrat e ashpër me ia shtri dorën hasmit të deridjeshëm, për me u bë vëllezër të armës, në luftën çlirimtare.

“Republikën e Kosovës e kanë bë intelektualët durimtarë dhe kryengritësit bashkë, sepse dy palët ishin idealistë. Dhe sot, shqiptarët, kanë sërish nevojë për idealistë – patriotë ligjorë- që besën dinë ta kthejnë në kontratë shoqërore e konfliktin në debat demokratik. Të bashkuar duhet ta fitojmë betejën për vendosjen e sundimit të ligjit, pa alternative”, deklaroi ai.

Share This Article