Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ia ka bërë me dije presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nuk do ketë leje për futje në Kosovë, derisa shteti i tij të kërkojë falje për krimet e bëra ndaj shqiptarëve.
Haradinaj-Stublla e ka deklaruar një gjë të tillë përmes një shkrimi në Twitter, duke ia përmendur një deklaratë të tijën të dhënë gjatë inaugurimit të një spitali në Batajnicë, vend ky ku u gjetën 744 trupa të shqiptarëve të vrarë.
Shefja e diplomacisë tutje ka thënë se ka mbaruar koha kur Kosova keqpërdoret për “shou politik”.
Reagimi i plotë:
Vuçiqi paska deklaruar mbrëmë se në përurimin e një spitali në Batajnicë (mu aty ku u gjetën 744 trupa të shqiptarëve të vrarë e masakruar – në mesin e të cilëve është edhe axha im nga masakra e Lybeniqit) se ‘ndihet krenar’ që është kryetar i një shteti që pas 21 vitesh përfundim të luftës, kanë dhënë leje për të kryer gërmime në varrezat masive të shqiptarëve të vrarë e masakruar nga Serbia. E pyes publikisht Vuçiqin, si familjare e prekur nga gjenocidi i Serbisë në Kosovë: a je ndier “pokaq krenar” edhe kur ke qenë në tavolinën ku u morr vendimi për të kryer këto krime kundër shqiptarëve të Kosovës?!
E përsëris edhe një herë përgjigjen e vetme dhe të përhershme për të gjitha kërkesat e ardhshme të Vuçiqit dhe të tjerëve: NUK KA LEJE PËR JU PËR VIZITA NË KOSOVË PËRDERISA NUK KËRKONI FALJE PËR GJENOCIDIN E KRYER NDAJ POPULLIT TONË, DHE PËRDERISA NUK VIHEN PARA DREJTËSISË NDËRKOMBËTARE PËRGJEGJËSIT E ATIJ GJENOCIDI.
Ka përfunduar koha kur Kosova është keqpërdorë si monedhë transkasioni ndërkombëtar dhe si platformë për shoë politik për Vuçiqin dhe Serbinë.