Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, ka pritur në takim Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kroacisë, gjeneralin Mirko Shundov, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin bilateral në fushën e sigurisë së dy vendeve dhe rajonit.
“Marrëdhëniet bilaterale midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë janë aktive dhe miqësore. Aktualisht kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë duke u shkolluar në Akademinë Kroate të Mbrojtjes dhe një numër tjetër në kurse trajnuese në fushën e mbrojtjes. Ky bashkëpunim synon të vazhdojë edhe përmes ushtrimeve të përbashkëta, vizitave dhe dialogut në mes të institucioneve të dy vendeve, si dhe këmbimin e informacionit për çështjet e sigurisë rajonale”, ka deklaruar kreu i Qeverisë.
Kryeministri Haradinaj ka falënderuar angazhimin e Kroacisë për të mbështetur dhe kontribuar në ndërtimin institucional të strukturave ushtarake dhe të sigurisë në Kosovë dhe ka shprehur zotimin për një përkushtim edhe më të madh të Qeverisë së Kosovës për të avancuar bashkëpunimin në mes të dy vendeve.
Gjenerali Mirko Shundov ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe gatishmërinë e tij për të avancuar bashkëpunimin e gjithanshëm në mes të dyja vendeve.
Kroacia është pjesë e NATO-s dhe aktualisht kontribuon në trupën e KFOR-it në Kosovë, si dhe në misionin e mbështetjes për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kosova vlerëson rolin e Kroacisë në integrimin e vendeve të rajonit në strukturat e NATO-s, që do të jetë faktor i fuqishëm për ndërtimin e paqes së përhershme në rajon.