Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pas lajmit se Qeveria e Kosovës është dakorduar pёr nisjen e zbatimit tё udhёrrёfyesit tё energjisё.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë, duhet të jenë të përfshirë në një sistem unik energjetik dhe t’i respektojnë rregullat e tregut.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë, duhet të jenë të përfshirë në një sistem unik energjetik dhe t’i respektojnë rregullat e tregut. Kosovës ia siguruam pavarësinë energjetike që vite më parë dhe kjo falë përpjekjeve të vazhdueshme dhe aspak të lehta. Prandaj, qeveria e tanishme i ka pasur të gjitha predispozitat që nga fillimi i mandatit të saj, të përfshijë qytetarët e veriut të vendit, në sistemin energjetik të Kosovës, njëherësh që ata të paguajnë për shërbimet që i gëzojnë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka shtuar se çdo shtyrje e zbatimit të kësaj normative, ka kosto të papërballueshme.
“Për këto arsye, çdo shtyrje e zbatimit të kësaj normative, jo vetëm që është e vonuar por edhe me kosto të papërballueshme. Çështjet teknike administrative nuk duhet të shndërrohen në probleme politike”, ka përfunduar Haradinaj./