Ish-ministrja e Kroacisë për Fondet e BE-së, Gabrijela Zalac, është dënuar sërish nga drejtësia, këtë herë për shpenzimin e mijëra eurove të Bashkimit Evropian për darka dhe festa luksoze, duke përfshirë edhe ditëlindjen e saj. Vendimi u dha më 2 shtator, ku gjykata i caktoi asaj 7 muaj burg për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet publike.
Zyra Evropiane e Prokurorit Publik bëri të ditur se Zalac kishte përdorur afro 10 mijë euro nga fondet e BE-së në të paktën nëntë raste për restorante të shtrenjta. Ajo pranoi fajin dhe ka kthyer shumën e plotë të parave të shpenzuara.
Më herët, në qershor, Zalac u dënua me dy vjet burg për abuzim me një projekt IT në ministrinë që drejtonte, me një vlerë rreth 1.3 milionë euro. Ajo ra dakord të paguajë edhe 200 mijë euro si kompensim për dëmin. Skandali është pjesë e një serie dorëheqjesh dhe hetimesh që kanë goditur qeverinë e kryeministrit Andrej Pllenkoviq, ku disa ministra të partisë HDZ janë përballur me akuza për korrupsion.
Zalac u shkarkua nga detyra në vitin 2019, pas nisjes së hetimeve për shpërdorim të fondeve evropiane. Sipas mediave kroate, ajo përdori paratë publike për të financuar edhe evente personale. EPPO, institucioni që ndjek keqpërdorimet me fondet e BE-së, thekson se rasti i Zalac është një shembull tipik i abuzimeve që dëmtojnë besimin e qytetarëve.
“Dënimi i saj është një hap domethënës për forcimin e sundimit të ligjit në vende anëtare”, thuhet në reagimin e EPPO. Kjo është hera e dytë që Zalac përballet me drejtësinë për akuza të rënda që lidhen me detyrën si zyrtare e lartë.