Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Florent Hasani ka realizuar të shtunën një prej golave më të bukur në karrierë.
Ai ndihmoi Diosgyorin të fitoi 4:0 ndaj Honvedit në kampionatin hungarez. Realizoi golin e parë me goditje mjeshtërore nga rreth 25 metra largësi. Për Hasanin ishte goli i tretë këtë edicion. Ai te Kosova është kryesisht rezervist, por po angazhohet për hapësirë më të madhe.
“Jam i kënaqur që e kam filluar vitin mjaft mirë. Kam shënuar tre gola dhe shpresoj të vazhdojë me këtë ritëm”, ka thënë Hasani për Koha.net.
Ai është i vetëdijshëm se golat në skuadër e ndihmojnë të vlerësohet më shumë në përfaqësuesen e Kosovës.
“Natyrisht që më ndihmon fakti që po shënoi në këto ndeshje para grumbullimit me Kosovën. Është me rëndësi që të gjithë lojtarët të jemi në formë sa më të mirë para ndeshjeve vendimtare për kualifikim. Sot mendoj se kam shënuar një prej golave më të bukur në karrierën time. Në fakt kam shënuar shumë gola të bukur, por ky është prej më të mirëve. Shpresoj që me gola të bukur të ndihmoi ekipin por edhe përfaqësuesen drejt arritjes së qëllimeve”, ka thënë Hasani.
Hasani 22-vjeçar në Hungari është transferuar nga futbolli kosovar, përkatësisht nga Trepça ’89. Një kalim në ndonjë ligë më të fortë ka kohë që është synim i Hasanit.
“Të shohim çka do të ndodhë. Primare për mua është që të vazhdoj me formë të mirë, të shënojë gola. Po ashtu shpresoj të ndihmojë Kosovën që të kualifikohet në Evropian. Më pas në afatin e verës do të shohim çka do të ndodhë”, ka thënë Hasani.