Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kryesia e këtij subjekti partiak do të vazhdojë edhe nesër konsultimet në mënyrë që më 3 gusht të kenë paraqitje legjitime në garë.
”LDK është duke punuar, kemi mbajtur një mbledhje te kryesisë kemi vendos të vazhdojmë konsultimet edhe nesër. Fokusi ka qenë përgatitja sa më e mirë e kuvendit dhe arritja e një marrëveshjeje konsensuale për kandidatin që do të paraqitet të shtunën në garë. Deri atëherë do të angazhohemi për të ndërtuar një marrëveshje të përbashkët që LDK të legjitimojë kryetarin të shtunën”, thotë Haziri.
Lutfi Haziri për Klan Kosovës ka mohuar që sot të kenë vendosur që Isa Mustafa të jetë kandidati konsensual për të parin e këtij subjekti.
”Nuk ka ende një marrëveshje e cila i vendos kapak kësaj çështje, angazhimet i kemi të përbashkëta me kryetarin e LDK-së, por përmes formave të tjera janë përmendur dhe lakuar edhe emra të tjerë. Nëse nuk ka marrëveshje, unë do të kandidojë. Me përgjegjësinë e plotë të tij i bie që angazhimi i 355 delegatëve në kuvend të kenë kushte dhe atmosferë pune për të zgjedhë kryetarin dhe Këshillin e Përgjithshëm. Është konfirmuar edhe njëherë që pa LDK-në nuk ka as zgjedhje as zgjidhje në këtë vend. Ne po përgatisim një manifestim solem, ku zgjedhjet do të përqafohen dhe përjetohen si sukses i madh i madh i LDK-së”, tha ai.
Haziri më tej ka pranuar se gara do të vazhdojë të shtunën e 3 gushtit, ku nëse nuk arrihet marrëveshje e brendshme, ai pohoi se edhe ai do të jetë pjesë e kandidaturës, njofton Klan Kosova.
”Gara nuk është përjashtuar, kuvendi po mbahet për garë. Besoj që angazhimi është i jashtëzakonshëm politik që kuvendi të jetë mirë i përgatitur dhe i suksesshëm deri në ditën e fundit. Atmosfera e kryesisë ka qenë korrekte, kolegiale, dhe strukturat po ashtu. Ka qenë një takim pune, përgatitor që kuvendi të dalë sa më i suksesshëm”.
”Karshi kësaj gare, roli i Isa Mustafës ka qenë dhe mbetet i padiskutueshëm në angazhimin për arritjen e një marrëveshje. Po vjen koha e një mobilizimi politik, dhe ai mobilizim do ta arrijë kulmin më 3 gusht. Angazhimi ynë është në këtë drejtim, vlerësimet çojnë që kuvendi të dalë sa më mirë dhe sa më legjitim”.
”LDK deri në fund ka me qenë unifikues. LDK-së i duhet një unitet dhe ai unitet do bëhet me mobilizim qytetar. LDK e ka përgjegjësi historike që këtë proces t’ua dëshmojë të tjerëve se si të sillet në këto situata. LDK do t’i gëzojë shumicën e njerëzve në Kosovë”.