Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka paraqitur kandidaturën e tij për të parin e kësaj partie.
Kjo është bërë e ditur nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Përmes një njoftimit, kjo parti ka bërë të ditur se gjatë mbledhjes së Kryesisë janë paraqitur edhe dy kandidatura.
Gjithashtu njoftohet se gjatë mbledhjes është thënë se ka edhe kandidatura tjera, porse të njëjtat do të bëhen publike në ditët në vijim.
“Sot, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbajti mbledhjen e rradhës me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të Kuvendit të LDK-së, përkatësisht Kuvendit për zgjedhjen e Kryetarit të LDK-së. Në mbledhje u dakordua për përgatitjet e nevojshme dhe të domosdoshme për mbledhjen e Kuvendit dhe në parim u konfirmuan edhe emrat e delegatëve të Kuvendit, të cilët janë konfirmuar nga secila degë e LDK-së. Në mbledhjen e sotme, u paraqitën edhe dy kandidatura për Kryetar të LDK-së. Kandidaturat për Kryetar të LDK-së i paraqitën z. Lutfi Haziri nënkryetar i LDK-së dhe Kryetar i Gjilanit si dhe z. Lumir Abdixhiku, anëtar i Kryesisë së LDK-së. Në mbledhje gjithashtu u shpreh se ka edhe kandidatura tjera, që mund paraqiten ditëve në vijim”, thuhet në njoftim.
Deri tash, zyrtarisht kandidaturën për kryetar të LDK-së e ka paraqitur edhe Anton Quni.