Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll (meshkujt) ka barazuar në ndeshjen miqësore që e luajti të hënën kundër Kuvajtit 21:21 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Për Kosovën kjo ishte ndeshja e dytë brenda dy ditëve përballë Kuvajtit, pasi të dielën mbrëma në të njëjtën palestër pësoi humbje 22:14. Te dy këto ndeshje ishin teste të rëndësishme për përzgjedhësin Taip Ramadani në prag të kualifikimeve për botëror.
Në ndeshjen e dytë ndaj Kuvajtit më efikasit te Kosova ishin Kastriot Jupa, Oltion Beshiri e Deniz Terziqi që realizuan nga katër gola. Kosova prej të premtes deri të dielën do t’i luajë ndeshjet e fazës kualifikuese për botëror në Benevento të Italisë. Kosova është në grup me Italinë, Rumaninë dhe Gjeorgjinë.
“Me paraqitjen e së hënës Kombëtarja jonë ka dëshmuar se është e gatshme për garën kualifikuese në Itali”, ka shkruar Federata e hendbollit të Kosovës të hënën.