Në vitin 2025, operacionet e Drejtorisë Hetimore Anti-Mafia të Barit rezultuan në sekuestrime përfundimtare në të gjithë Puglian me një total prej mbi 30 milionë eurosh . Kjo shifër u dha nga kreu i qendrës DIA të Barit, Giulio Leo , gjatë prezantimit të kalendarit të vitit 2026, kushtuar “anti-mafias”.
Shefi i DIA-s ngriti shqetësimin për kriminalitetin në vend dhe jo vetëm, ku u shpreh se po bëhet gjithnjë e më i fuqishëm.
“Një kriminalitet që po bëhet gjithnjë e më i fuqishëm në mënyrat e veta të operimit, ka sot edhe më shumë nevojë për një rrjet bashkëpunimi që mbështetet te qytetari, te gratë, te ata që duan të ndryshojnë jetë dhe të hapin një faqe të re. Ka nëna, motra, situata në të cilat kërkohet t’u jepet një mundësi e re familjeve të tyre, të dërgohen mesazhe që i shkëpusin me të kaluarën, me një kriminalitet që mbyt dhe frikëson”,-deklaroi Leo.
Duke folur sërish për aktivitetin hetimor, Leo tha se “kriminaliteti, natyrisht, zgjerohet aty ku ka ekonomi, ku ka para, së fundmi edhe aty ku ka turizëm. Kreu i anti-mafias italiane përmendi edhe shqipëtarët, për të cilët deklaroi se veprojnë direkt me kartelet e mëdha të Amerikës Latine dhe janë furnizues të drogës të klaneve në Itali.
“Disa shqetësime më të mëdha mbeten në provincën e Foggias, por për këtë po punojmë. Ka edhe një vëmendje të posaçme ndaj krimit të organizuar shqiptar, i cili tashmë arrin të ndërveprojë direkt me kartelet e mëdha të Amerikës së Jugut dhe paraqitet si furnizues i klaneve tona vendase”,-theksoi ndër të tjera kreu i DIA-s.
Marrë nga Corriere della Sera




