Kryetari i Partisë Demorkatike, Sali Berisha, në fjalën e tij nga ambientet e SPAK është pyetur lidhur edhe me aksionin në kompaninë “Bankers Petroleum”.
Berisha theksoi se kontrata është e firmosur nga qeveria, para qeverisë së Partisë Demokratike, teksa deklaroi se PD ka bërë të mundur vendosjen e rentës minerare 10%.
“Çfarë mund të them unë për këtë? Kontrata me Bankers Petrolium është e firmosur nga qeveria para qeverisë së PD. Një kontratë për hidrokarburet, e cila ka një klauzolë, nenin 18 që e mbron kompaninë, nuk lejon që të bëhen lëvizje të saj pa miratimin e kompanisë. Me gjithë këtë, qeveria e PD ka bërë më të jashtëzakonshmen, dhe më e jashtëzakonshmja ka qenë vendosja e rentës 10 përqind. Vendosja e rentës 10 përqind është disa herë më shumë se tatim fitimi. Renta vendoset mbi 10 përqind të shitjeve të përgjithshme dhe në raste të caktuara mund të arrihet në 50 përqind të fitimit. E para kjo, se nuk kishte rentë. Megjithatë t’ia njoh si meritë kompanisë që e pranoi si marrëveshje dhe nuk shkoi në arbitrazh sepse kishte një klauzolë. Sepse renta u vendos në kuadrin e një nisme të OKB për industritë nxjerrëse”, tha Berisha.
Ndër të tjera Berisha është shprehur se “Bankers Petroleum”, gjatë kohës që PD qeveriste ka paguar çdo qindarkë.
“Në atë kohë, Bankers ka qenë kompani joprivate, por publike e listuar në bursë. A e ka paguar? Po të garantoj që edhe më shumë, gjer në 200-250 milionë në vit gjatë kohës që kemi qenë ne në pushtet. Jo vetëm kaq, por ka paguar me detyrim taksën e karbonit që e shtuam, ka paguar, e them këtu, në vlerësimin tim, në mënyrë të padrejtë, ka paguar taksën e holluesit, të cilin e paguante dy herë. Njëherë kur injektohej dhe pastaj kur nxirrej. Po kryeministri nuk ishte ai që ishte sot dhe nuk i ndërhynte autoritetit tatimor. Tani të lutem shumë, emra mos përmend këtu se këtu kanë vlerë shifrat. Ato kanë paguar qindra milionë dhe ata që mohojnë këtë, meritojnë tjetër gjë. Janë librat e tatimeve dhe nuk veprohet në këtë mënyrë se është banditizëm.
Ajo ka qenë kompani publike kanadeze e listuar në bursë dhe ka pranuar dhe ka paguar rentën. Dhe renta e saj është e barabartë me 70 përqind të rentës të gjithë industrisë nxjerrëse në Shqipëri. Ajo ka paguar 1500 familje me rroga fare të mira dhe me sigurime shoqërore. Ajo ka paguar pagesën koncesionare që shkon në qindra milionë euro naftë për Albetrolin. Se çfarë ka bërë pas largimit tonë, nuk di unë. Por ata që duan të barazojnë, ata kanë interesa nga më të pistat në këtë aferë dhe ndaj sillen në këtë mënyrë. Gjatë periudhës tonë ajo ka paguar qindarkë për qindarkë. Ka pasur njëherë problem me taksën e karbonit, e kemi detyruar dhe e ka paguar. Dhe një gjë, është e turpshme që për interesa mafioze të bëhen skupe mediatike”, shprehet Berisha.

