Gazment Bardhi nuk i përket atyre politikanëve që mendojnë se SPAK po zhbën një elitë politike për ta zëvendësuar me një tjetër. “Nuk është detyrë e SPAK ndërrimi i elitave politike. Ai duhet të jetë i ftohtë vetëm në analizën e provave dhe fakteve dhe ndëshkimit të kujtdo që shkel ligjin. Qarkullimi i elitave është detyrë e shoqërisë shqiptare. SPAK mund të ndikojë, por nuk do të duhet të jetë qëllimi në vetvete, pasi ky nuk është misioni i drejtësisë.”- tha Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të PD në një intervistë me gazetaren Elona Meço. Pavarësisht çështjes “Berisha”, kreu i grupit parlamentar të PD mban një qëndrim korrekt me kreun e SPAK-ut për një fakt që ai e zbuloi gjatë intervistës në emisionin “Pa Censurë”. Çështja “Mcgonigal” po hetohet. Zoti Bardhi tha se ka marrë përgjigje nga kreu i SPAK-ut për një kërkesë të mëparshme të tij për te hetuar kryeministrin Rama në lidhje me aferën e ish zyrtarit të FBI-së. Zoti Bardhi tregoi arsyet ose nuk e zbardhte dot përgjigjen e plotë, por ishte e qartë se SPAK ka nisur një hetim për një nga çështjet më sensitive në vend, ku një nga personazhet kryesorë është kryeministri i vendit.
Elona Meço: Po këmbëngul pse vazhdoni e nxisni me besim SPAK-un, kur psh, nuk ka ndonjë përgjigje nga SPAK për padinë tuaj ndaj kryeministrit Rama për çështjen e ish zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles Mcgonigal.
Gazment Bardhi: Në fakt kam një përgjigje. Pasi Mcgonigal ka pranuar fajësinë, unë i jam drejtuar me një memo drejtuesit të SPAK-ut. Kam marrë një përgjigje dhe dua ta përgëzoj drejtuesin e prokurorisë për përgjigjen korrekte që më ka kthyer. Për fatin tuaj të keq si gazetare, që do të donit lajm në këtë rast, në atë përgjigje mua është vendosur detyrimi për të mos bërë publik informacionin që kam marrë nga SPAK. Dhe unë dua ta respektoj atë detyrim që më kanë vendosur në përcjelljen e informacionit mbi çështjen konkrete.
Elona Meço: Në fakt, nuk është fat i keq, pasi nga përgjigja juaj kuptoj që keni marrë një përgjigje pozitive që çështja është nën hetim. Përndryshe, ju do të kishit ngritur zërin që SPAK nuk po vepron, apo jo?
Gazment Bardhi: Unë dua ta nxis SPAK-un të vazhdojë në rrugën që ka nisur. Kaq mund të them për këtë çështje. Nuk mund të konfirmoj asgjë tjetër, sa kohë më është vendosur një detyrim ligjor për të mos publikuar informacionin që në përputhje me ligjin, SPAK-u më ka përcjellë.