Qytetarët shqiptarë, veçanërisht të moshuarit që hasin vështirësi në përdorimin e platformës qeveritare E-Albania do të ndihmohen nga një asistent virtual zanor i ngjashëm me të telefonave inteligjentë. Nismën e paralajmëroi Milva Ekonomi gjatë prezantimit të arritjeve dhe sfidave të Ministrisë së Shtetit për Standardet e Shërbimeve.
‘Vetë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit po mendon që brenda këtij viti të vendosë në aplikim, duke përdorur inteligjencën artificiale një ‘Siri’ për shërbimet tona ‘online’. kjo do ta lehtësojë ndjesh ndjeshëm marrjen e shërbimeve’, tha Ekonomi.
Duke u nisur edhe ankesat për burokraci në administratën publike, Ekonomi lajmëroi një zgjidhje edhe për sipërmarrësit. ‘Edhe për biznesin po mendojmë krijimin e një aplikacioni. S herë të përballen me problematika, mund ta raportojnë direkt nga aplikacioni i instaluar në celular’, shtoi ajo.
Pasi bëri një përmbledhje të ecurisë së Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes gjatë vitit të shkuar, Edona Bilali njoftoi edhe për hartimin e një baze ligjore më joshëse për të huajt në fushën e teknologjisë që duan të punojnë nga Shqipëria. ‘Do të kemi gati gjithashtu një bazë ligjore të plotë me qëllim që të kemi një ofertë më të mirë se vendet e Rajonit apo Europës për të thithur Nomadët Digjitalë’, tha ajo.
Ndërkohë Bilali dha edhe disa informacione lidhur me thirrjen e radhës drejtuar komunitetit ‘Start-up’ për të përfituar nga grantet mbështetëse. ‘Fondi që ne vumë në dispozicion për thirrjen e parë ishte 300 milionë lekë, nga të cilat kategoria e ‘Start-up’ përfitoi 100 milionë. Këtë vit do të kemi një thirrje tjetër të ngjashme’, shtoi ajo.
Të dy ministret theksuan se përmirësimi i klimës në të bërit biznes mbetet sfida më parësore edhe për këtë vit të ri.