Hill: Jemi të shqetësuar dhe të zhgënjyer nga refuzimi i Kurtit për të zgjatur afatin për targat

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar se është i zhgënjyer dhe i shqetësuar për vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të mos zgjatur afatin për ri-regjistrimin e automjeteve dhe kalimin nga targat ilegale KM në ato RKS, pavarësisht thirrjeve nga SHBA, BE dhe QUINT-i.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë, ka kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të vazhdojë periudhën e zbatimit të ri-regjistrimit të automjeteve. Jemi të zhgënjyer dhe të shqetësuar për refuzimin e Qeverisë së Kosovës për të pranuar kërkesat dhe këshillat e partnerëve të saj më të afërt ndërkombëtarë për këtë çështje”, tha Hill në një intervistë të tij me mediumin serb Blic.

Ai shtoi se mirëpret vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën kujdesin e Brukselit.

“I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë të marrin pjesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, shtoi Hill.

Paraprakisht në të njëjtën mënyrë ka reaguar edhe Gabriel Escobar, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, i cili po ashtu u ka bërë thirrje autoriteteve të Prishtinës që të shtyjnë afatin.

Serbët e Kosovës duke filluar nga 1 shtatori kanë pasur dy muaj kohë, për t’i konvertuar targat e tyre ilegale me akronime si KM, PZ, e të tjera, në ato RKS.

Gabriel Escobar, i deleguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, shtyrjen e vendimit për targat për një periudhë 10 mujore.

Sipas tij kërkesa për shtyrjen e vendimit nuk është vetëm kërkesë amerikane.

Me sugjerimin e ShBA-ve, sipas Escobar, pajtohen edhe shtetet e QUINT-it.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës, vazhdon të insistojë që vendimi i saj përfundon me 31 tetor.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Kosova merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtar lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, por sipas tij Kosova është për respektimin e rendit dhe ligjit.

“Andaj edhe kur partnerët, aleatët, miqtë tanë ndërkombëtar na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka deklaruar Kurti. /Albanianpost.com

Share This Article