Albania
Historia e panjohur e gjigandit të skenës, si u prit nga publiku drama “Toka jonë”
Dëshmia e rrallë e mikut dhe kolegut të tij, Mario Ashiku, për shfaqjen e dhënë në Bregun e matës ku një plak u ngrit nga salla dhe deshi ta qëllonte kur Loro “Tuç Maku” shtyu “Loken”, Marie Logoreci…?!
Memorie.al publikon historinë e panjohur të aktorit të famshëm të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, “Artist i Popullit”, Loro Kovaçi, nga fëmijëria e tij në qytetin e Shkodrës ku ai frekuentonte rrethet jashtë shkollore që kishte hapur kleri katolik, si Teatri “Bogdani” etj, e puna si rrobaqepës së bashku me nënën e tij, për të siguruar të ardhurat me të cilat mbahej familja. Ndërhyrja e Fratel Pantalisë që e dërgoi në Innsbruck të Austrisë ku Loro u rregjistrua në një shkollë dy vjeçare për rrobaqepsi dhe braktisja e saj më pas, pasi ai ishte i dhënë pas violinës dhe teatrit. Kthimi i Loros në qytetin e Shkodrës për t’u bërë krahu i djathtë i nënës së tij si rrobaqepës dhe ardhja në Tiranë pas mbarimit të Luftës, ku me interesimin e mikut të tij të ngushtë, Tuk Jakova, ai dhe shoku i tij i ngushtë, Pjetër Gjoka, u bënë pjesë e bërthamës së parë të Teatrit Popullor të porsakrijuar, ku ai nuk qëndroi shumë pasi e larguan me ceremoni, pas arrestimit të djaliut të tij, Gjonit, me grupet e të rinjëve antikomunist në qytetin e Shkodrës. Puna e rëndë për disa vite në Fabrikën e Tullave dhe rikthimi në Tiranë pranë Teatrit Popullor ku ai shkëlqeu që në rolet e para dhe filmat artistik të Kinostudio “Shqipëria e Re”, ku luajti rolet kryesore. Dëshmia e rrallë e mikut dhe kolegut të tij, Mario Ashiku, për shfaqjen e dhënë në Bregun e matës ku një plak u ngrit nga salla dhe deshi ta qëllonte kur Loro “Tuç Maku” shtyu “Loken”, Marie Logoreci…?!
Vite të shkuara, kur aktori i famshëm italian Alberto Lupo ishte në kulmin e karrierës së tij artistike dhe interpretoi rolin e një mjeku, të nesërmen e premierës së filmit me dhjetra njerëz të ndryshëm e ndalonin në rrugë dhe e përgëzonin, duke e uruar për atë rol që i kishte mahnitur të gjithë. Midis këtyre njerëzve, aktorin e madh e ndaloi në afërsi të shtëpisë së tij, dhe një zonjë në moshë, e cila me lot në sy iu drejtua:”Doktor ju lutem, po më vdes djali, bëni diçka se e kam të vetëm. Të lutem doktor, ju kemi pasur kaq pranë dhe s’ju kemi njohur për të tillë”. Në rrethana pak a shumë të tilla me aktorin e njohur italian, është gjetur dhe një nga ikonat e skenës dhe kinomatografisë shqiptare, i madhi Loro Kovaçi, nga mesi i viteve ’60-të, kur ishte duke interpretuar rolin e Tuç Makut te drama “Toka Jonë”, në një nga fshatrat e Bregut të Matës ku zhvilloheshin ngjarjet e asaj vepre, e konsideruar si “maja e dramaturgjisë së periudhës së realizmit socialist”.
Fëmijëria e vështirë
Loro Kovaçi lindi më 30 gusht të vitit 1903 në qytetin e Shkodrës së njohur të atyre viteve prej personaliteteve e figurave të mëdha që nxorri në jetën politike e shoqërore të shtetit të ardhshëm shqiptar. Babai i Loros, Gjon Kovaci, një burrë fisnik, fjalë pak e i ndershëm, punonte si zejtar në një barakë të vjetër të lagjes “Badrave”, me të cilën siguronte jetesën e familjes. Ai vdiq shumë i ri dhe fëmijët e tij jetim (Loro ishte më i madhi i tyre) mbetën vetëm me nënën e tyre, Kushen, një zonjë, e cila i rriti ata mes mundimesh të shumta, prej fukarrallëkut që e kishte pllakosur. Kushja, i’u kushtua profesionit të rrobaqepsisë, ku u bë njohur në qytetin e Shkodrës. Vite më vonë ajo arriti të hap një dyqan rrobaqepsie, duke punësuar aty disa rrobaqepës të tjerë. Ndryshe nga Gjoni, Kushja jetoi deri në vitin 1965, duke punuar gjithnjë në profesionin e saj, aty në qëndër të Shkodrës. Me vdekjen e Gjonit, aty nga viti 1910, Kushja u detyrua që djalin e madh Loron, ta hiqte nga shkolla, kur nuk kishte bërë më shumë se 5-6 klasë dhe ta angazhonte në dyqanin e saj të rrobaqepsisë, për të siguruar të ardhura për familjen. Asokohe kur ishte gjallë Gjoni, familja Kovaçi kishte miqësi të ngushtë familjare me Fratelin, Gjon Pantalia, i njohur ndryshe nga besimtarët katolik të Shkodrës, si Padër Gjoni, i cili ishte ekonomati i Kolegjit të Jezuitëve të atij qyteti. Për t’i ardhur në ndihmë familjes Kovaçi, Fratel Gjoni e mori Loron në Kuvendin e Jezuitëve, duke e rregjistruar në kurset e rrobaqepsisë. Loro qëndroi aty duke e perfeksionuar atë profesion që së pari e kishte mësuar nga e ëma, deri në moshën 17 vjecare. Kur Loroja arriti këtë moshë, Fratel Gjoni ndërhyri pranë drejtuesëve të Kolegjit Jezuit dhe e dërgoi atë në Innsbruck të Austrisë, ku ai u regjistrua në një shkollë dy vjeçare për rrobaqepsi, që ishte nga më të njohura e gjithë Perandorisë austro-hungareze. Në qytetin e Innsbruck, përveç kursit të rrobaqepësisë, Loroja frekuentonte dhe kurset e instrumentave muzikore, për të cilat ai kishte dobësi, që kur ishte në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër. Krahas muzikës dhe ushtrimit të sporteve, Loroja kishte një dëshirë dhe adhurim të veçantë për teatrin e aktorët e mëdhenj të asaj kohe. Duke përfituar nga gjuha që arriti ta zotërojë shumë shpejt, pasditeve dhe jashtë mureve të shkollës së rrobaqepsisë, u rregjistrua në një kurs për violinë, nga ku më vonë u fut në një grup muzikor të rinjsh tepër të talentuar, që jepnin herë pas herë koncerte të ndryshme dhe jashtë Innsbruck. Në instrumentin e violinës, Loro tregohej virtuoz dhe merte duartrokitje, por ajo gjë nuk zgjati shumë, pasi ai e braktisi atë nga dashuria që kishte për skenën e teatrit, ku ndiqte grupet e ndryshme që nga provat e deri në shfaqje. Për ato dy vite që ai qëndroi në Austri, Loroja fitoi një përvojë të madhe, duke i perfeksionuar dhuntitë e tij si në muzikë, ashtu dhe në teatër, që nuk linte shfaqje pa ndjekur.
Nga Innsbruck në Shkodër
Nga fundi i vitit 1921, pas përfundimit të bursës dy vjeçare që i’a kishte akorduar Kolegji i Jezuitëve, Loro u kthye përsëri në qytetin e tij të lindjes, por tashmë profesionist, duke i’u bërë krah nënës së tij Kushes, në atë dyqan të vogël por të njohur në Shkodër. Asokohe Shkodra ishte një nga qytetet, ku përveç zejtarisë e tregtisë, jeta kulturore zinte një vend të veçantë në hullinë e tij. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim zinte kleri katolik, të cilët mblidhnin rininë shkollore dhe atë të qytetit në rrethe të ndryshme artistike e sportive. Ndër shoqëritë e shumta të atij qyteti, asokohe ìshte krijuar dhe shoqëria “Bogdani”, e cila merrej vetëm me teatrin. Në këtë shoqëri teatrore ndër të parët që morën pjesë ishte dhe Loro Kovaçi me dy shokët e tij Pjetër Gjokën e Gjon Karmën, të cilët vite më vonë do të ishin partnerët e tij kryesorë në dhjetra role të teatrit e kinematografisë shqiptare. Në këtë shoqëri teatrore, Loro Kovaçi do të afirmonte veten bindëshëm si një nga talentët e ardhëshëm të skenës shqiptare, duke marrë vlersime nga drejtuesit e klerit katolik që kishin njohje të thella në atë fushë, ashtu dhe nga shtypi i kohës. Një nga këto shfaqe ku spikati ndjeshëm talenti i Loros, ishte ajo e dramës “Guvernatori i Provincës”, në të cilin ai interpretoi me mjeshtëri të thellë artistike rolin e Dukës së Piemontit, pjesë e cila u shfaq për herë të parë më 1 mars të vitit 1925. Pas një sërë shfaqesh të kësaj shoqërie teatrore, Loro shkëputet prej saj dhe afrohet me shoqërinë tjetër teatrore “Rozafat”, e cila ishte një shoqëri laike, e krijuar prej vetë të rinjëve që kishin pasion teatrin. Drejtuesi kryesor i kësaj shoqërie teatrore dhe regjisori i saj ishte që në fillim Henerik Lacaj (një nga profesorët e mëvonshëm të artit skenik shqiptar), i cili afroi shumë të rinj me talent në atë shoqëri, ku midis tyre spikatnin Loro Kovaçi, Gjon Karma, Ndoc Meshkalla, etj. Në fillim të vitit 1940, Loro, për t’a ndihmuar sadopak me të ardhura familjen e tij, filloi punë si kujdestar në konviktin “Malet Tona”, ku mësonin një pjesë e mirë e atyre nxënësve që do bënin emër deri në rangjet më të larta të shtetit shqiptar pas lufte. Në këtë konvikt Loro punoi për më pak se dy vite dhe u largua prej andej me kërkesën e tij, pasi nuk pranoi që të aderonte në Partinë Fashiste, ku i’u kërkohej që të aderonin me detyrim pjestarët e administratës shtetërore. Pasi largohet nga konvikti, ai kthehet përsëri në profesionin e tij të vjetër të rrobaqepësit, së bashku me nënën e tij, Kushen, e cila tashmë kishte bërë emër të madh edhe jashtë qytetit të Shkodrës. Ndonëse Loro nuk mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste, ai ishte me bindje i tillë, gjë qe e tregoi edhe largimi nga konvikti “Malet Tona”. Kjo gjë te Loro, ishte rrënjosur edhe nga shoqëria e madhe që ai kishte me Tuk Jakovën, një nga figurat më të rëndësishme të regjimit komunist shqiptarqë nga periudha e Luftës dhe më pas kur ai mbajti postet dhe funksionet më të larta partiake dhe qeveritare pas Enver Hoxhës. Miqësia midis tyre kishte filluar që në rrethet artistike të Kolegjit të Jezuitëve, ku të dy mësonin instrumentet muzikore. Pas mbarimit të Luftës në fillimin e vitit 1945, me ndërhyrjen e Tukut, Loro futet në punë në të parin Komitet Ekzekutiv të Shkodrës, ku ai nuk qëndroi gjatë.
Nga Tirana, punëtor në tullat e Shkodrës
Arsyeja e largimit të Loros nga administrata e Komitetit Ekzekutiv, ishte se ai u thirr që të vinte si aktor në Tiranë, në Teatrin e Ushtrisë. Kështu në vitin 1946, ai së bashku me shokun e mikun e tij të ngushtë Pjetër Gjoka, filluan që të luajnë rolet e para në atë teatër, i cili konsiderohej si më I rëndësishmi në vend, pasi nuk kishte filluar akoma puna për Teatrin Popullor. Një nga rolet e para të tij ishte “Nën gështenjat e Pragës”. Në këtë teatër, Loro së bashku me Pjetrin, punuan për pak kohë, pasi ata u thirrën në Teatrin Popullor të porsakrijuar. Në këtë teatër, Loroja nuk pati fatin që të punonte më tepër se një vit e gjysëm, pasi në vitin 1947, Gjon Kovaçi, djali i Loros dhe i Xhusepinës (e bija një prej aktorëve më famshëm të komedisë që ka pasur Shkodra, Zef Hilgega) arretsohet kur ishte në vitin e tretë të gjimnazit laik të Shkodrës. Në këtë klasë ku mësonte Gjoni, ishin mbledhur një grup djemsh që vinin nga familjet më antikomuniste të Shkodrës, si: Ahmet Bushati, Xhevat Quku, Injac Serreqi, etj. Ky grup djemsh diskutonte situatën politike të asaj periudhe dhe bindjet e tyre binin ndesh me politikën e qeverisë komuniste të gjeneral-kolonel Enver Hoxhës. “Unë me shokun tim, Injac Serreqin, bënim propagandë anti-komuniste dhe ishim kundër konventës ekonomike me Jugosllavinë. Në maj të 1947-ës, na arrestuan të dyve dhe na mbajtën 10 muaj në hetuesi. Në gjyq na akuzuan për agjitacion e propagandë si dhe si agjentë të UNRRA-s. Na dënuan me 5 vite burg”, kujtonte Gjoni, djali i madh i Loros. Pas dënimit të Gjonit, Loro largohet nga Teatri Popullor si “babai i armikut të klasës”, dhe dërgohet për të punuar si puntor në Fabrikën e Tullave në Shkodër. Përpara se t’i komunikohej largimi, ishte porositur drejtoria, që t’i bëhej demaskimi publik, në sy të gjithë kolektivit. I pari në atë mbeldhje e mori fjalën drejtori, që për t’a injoruar Loron, nuk i’a përmëndi fare emrin, por e etiketoi si “aktori barkmadh”. Më pas e mori fjalën dikush tjetër që tha se: “nuk e paskemi ditur që në rradhët tona na paska qënë një armik si ky”. Në Fabrikën e Tullave, ai punoi për gati 2 vite, pa e menduar se një ditë, do t’i kthehej përsëri teatrit, ëndrrës së tij të vjetër. Me ndërhyrjen e Tuk Jakovës, mikut të vjetër të Loros, Gjoni, mundi që të dalë nga burgu ku kishte kryer tre vite. Pas daljes së tij nga burgu, një nga problemet kryesore të familjes Kovaçi, ishte mundësia e rehabilitimit të Loros, për ta kthyer atë përsëri në skenën e teatrit. Me ndërhyrjen e Spiro Kolekës (i cili kishte qëndruar si qeraxhi në këtë familje në Shkodër) Loro mundi të rikthehej në skenën e teatrit.
Përsëri në Teatrin popullor
Me kthimin e tij në Tiranë, në vitin 1950, Loro i’u përvesh punës për të “rehabilituar” veten e tij, nga goditja që ai kishte marrë para pak vitesh. Në atë teatër ai, u bë një nga aktorët kryesorë duke luajtur vazhdimisht në shfaqjet që jepeshin pothuaj çdo natë. Shumë nga kolegët e tij që e kishin demaskuar në atë kohë, u bënë “përkrahësit” e tij më të flaktë dhe filluan ta mbajnë afër. Pasi Loro u stabilizua mirë në teatër, duke krijuar një popullaritet të padiskutueshëm, ai solli nga Shkodra në Tiranë, dhe familjen e tij, të cilën e sistemoi në një barake të vjetër (aty ku sot është Drejtoria e Policisë) e cila kishte mbetur nga Lufta. Me kalimin e viteve, Loro e rriti përsonalitetin e tij artistik, duke u bërë një nga “udhëheqësit” e skenës shqiptare. Me krijimin e Kinostudios “Shqipëria e Re” në mesin e viteve ’50-të, Loro morri pjesë në filmin e tij të pare, “Bijtë e saj” dhe më pas dy nga filmat bashkëprodhim shqiptaro-sovjetike “Skëndërbeu” dhe “Furtuna”. Në vijim, ai morri në filmin “Detyrë e Posaçme” të regjizorit Kristaq Dhamo, duke interpretuar një nga rolet kryesore. Ky film qarkulloi për pak kohë, pasi një nga bashkëskenaristët e këtij filmi, gjenerali i Ministrisë së Brëndshme, Halim Xhelo, u arrestua. Lidhur me këtë, regjizori Kristaq Dhamo dëshmon: “Ishte një kënaqësi që të kishe si aktor Loron. Tek “Detyrë e posaçme”, ai shkëlqeu me madhështinë dhe potencialin e tij të jashtëzakonshëm. Duke qënë se sa kishte filluar kinematografia shqiptare, ai pati fatin e keq që të interpretonte shumë pak, për shkak se më pas ai vdiq”. Fadil Paçrami, një nga udhëheqësit e lartë të asaj kohe që mbulonte artin e kulturën, i thoshe me të qeshur Loros: “Nuk të japim role negative ty, se ti na shan hapur ne komunistëve”. Loros i’u dha mundësia vetëm një herë për të dalë jashtë shtetit, kur ai shkoi në Moskë, me filmin “Furtuna”, në të cilin ai luajti rolin e një komandanti të Ballit Kombëtar. Nga rolet e tij në teatër, kujtohen ato të Otellos, Senatorit Leinghton, Bajram Currit, dhe Marash Palit. Por roli më i spikatur i tij ishte ai i Tuç Makut tek “Toka Jonë” në dramë dhe film, rol me të cilën ai u “identifikua” dhe vazhdon të mbahet mënd për interpretimin e tij të rrallë, madje unik. Lidhur me këtë, regjizori dhe aktori tjetër i njohur i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Mario Ashiku, koleg dhe mik i ngushtë i tij, midis të tjerash dëshmon: “Loro dhe Tuç Maku janë një. Pra po të thuash Loro, ke thënë Tuç Maku dhe po të thuash Tuç Maku, ke thënë Loro. Nuk përsëritet më ai interpretim nga kurkush, madje kujtoj se kur kemi qenë njëherë duke dhënë një shfaqje në Bregun e Matës, (ku zhvilloheshin ngjarjet e asaj drame të Kol Jakovës), nga mesi i shfaqjes, një plak i vjetër, u ngrit dhe me një shkop në dorë, tentoi t’a qëllonte Loron, kur ai shtyu Loken, (Marie Logoreci), por e ndaluan shpejt dhe mezi e bindën se ajo ishte shfaqje. Ishte një gjë e jashtëzakonëshme ai moment, magjik do të thoja, ku spektatori, nga i përlotur, filloi të qeshte me lot gëzimi nga ajo që ndodhi. Them se atë skenë me Loron aty në atë shfaqje të improvizuar në Breg të Matës, do e kishte ëndërruar edhe çdo aktor i përmasave botërore”, kujton Mario Ashiku, një nga ngjarjet më të rralla që i ka ndodhur Loro Kovaçit, që s’mund të përsëritet më. Duke parë vlerat e tij në skenë dhe kontributin e madh në skenën e teatrit dhe kinematografinë shqiptare, Loro ishte një nga katër artistët e parë që u nderua me medaljen “Artist i Popullit”, së bashku me Mihal Popin, Naim Frashërin, e Pjetër Gjokën. Roli i fundit i tij ishte ai i drejtorit të shkollës tek “Debatiku”, pasi në 16 korrik të vitit 1966, ai u nda nga jeta, në moshën 63 vjeçare, nga një sëmundje e rëndë. Ceremonia mortore e Loro Kovaçit, një prej gjigandëve të skenës shqiptare, u krye nga shteti me të gjitha nderimet. Trupi i tij u dërgua në qytetin e tij të lindjes Shkodër, për t’ju bërë të gjitha nderet e fundit si një ndër personalitetet më të mëdhenj të skenës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare.
Albania
Vit sfidues
Opinion Nga Ilir Kalemaj
Viti që lamë pas ishte i mbarsur me sfida të shumta lokale, rajonale dhe globale. Fillimisht së brendshmi pamë gremisje të mëtejshme të standarteve demokratike, korrupsion endemik, sistemik dhe kapilar që i shartuar me krimin e organizuar na rezultoi deri në kapje shteti, duke tejkaluar skenarët më të çartur hollivudianë. Rrugë të florinjta që avullojnë para shqiptarësh, verë që shkon në miliona euro dhe fluturon natën me qilim magjik, më shumë se 40 hajdutë që hanë dardhe dhe kumbulla pas shpine të Ali babës, konkurrentë që merren peng ditën për diell nga policia që pushteti do dhe plot thagma të tjera të cilat vështirë se bëhen dhe filma gjetkë.
Përsa i përket situatës në rajon, Kosovo gjendet mes një kapërcyelli epokal që paraqet sa sfida aq edhe mundësi. Një vit për t’u harruar politik, me tre palë zgjedhje përfshirë dy sojesh parlamentare, me rreth 50 votime për të zgjedhur vetëm kryeparlamentarin, me dështimin e vetdijshëm apo jo të Kurtit për të formuar qeveri, me një sjellje ngurruese dhe pa strategji të qartë opozitare për mos të lënë vendin pa qeveri, me palët politike që rrekeshin të përftonin kapital politik ndërkohë që republika e re ballafaqohej me kriza ekzistenciale. Përsa i përket faktorëve ndërkombëtarë, nga njëra anë kemi SHBA-në, e cila jo më larg se shtatori i këtij viti njoftoi për një pezullim të pacaktuar të dialogut të planifikuar me vendin si një shuplakë të drejtuar qeverisë kujdestare Kurti, ndërkohë që masat ndëshkuese (dhe në thelb të padrejta të BE-së) pritën vetëm fundin e vitit për t’u hequr duke i shkaktuar vendit një kosto jo të vogël financiare, ekonomike por edhe me pasoja sociale. Gjithsesi me zgjedhjet e sotme, shpresa është që republika e re e Kosovës të kthehet në shinat e normalitetit politik, qëndrueshmërisë institucionale, demokracisë përfaqësuese si e vetmja “lojë në qytet” dhe shtimit të ritmit të integrimeve euro-atlantike. Kjo do të jetë dhe barra e provës dhe testi i qeverisë së re që me shumë gjasa do të jetë qeveri koalicioni, ku shanset më të mëdha anojnë nga Vetvendosja si parti e parë për të krijuar qeveri kësaj radhe me partnerë një nga partitë kryesore të opozitës, me gjasë PDK-në.
Ndërkohë politikës së uljes në shumë karrige të Serbisë, duket se po i vjen fundi, pas sanksionimit të NIS, gjuhës së ashpër të Washingtonit ndaj Vuçiqit, ngrirjes së procesit të hapjes dhe përmbylljes së grupkapitujve të negociatave, qorrsokakut të vetdijshëm në lidhje me normalizimin dhe njohjen reciproke me Kosovën, krizën e brendshme si rezultat i protestave pa ndalim dhe ekspozimit të korrupsionit shtetëror. Nga ana tjetër, situata në Bosnjë-Herzegovinë duket e ngecur, me të vetmin zhvillim pozitiv “shuplakën” ndaj Dodik-ut dhe largimit të tij por edhe retorikës së ashpër separatiste që vendoste nën presion të vazhdueshëm Sarajevën dhe testonte limitet e institucioneve të brishta. Maqedonia e Veriut vijon të jetë e kushtëzuar nga Bullgaria përsa i përket procesit të integrimit evropian, ndërsa Mali i Zi merr notën e vetme kaluese në rajon në lidhje me shpejtësinë dhe cilësinë e reformave pavarësisht problemeve të brendshme politike, që mendohet se do t’i hapin rrugën e integrimit të plotë në BE në harkun e viteve 2028-2030.
Për Shqipërinë, ndonëse ky ka qenë premtimi elektoral i socialistëve të udhëhequr nga Rama, duket se nuk ka shans që kjo të ndodhë, pasi një sërë dështimesh edhe në raport me detyrimet karshi Brukselit kanë kushtëzuar procesin. Mjaft të përmendim dështimin për miratimin dhe zbatimin e direktivave dhe rregulloreve të BE-së për energjinë dhe vendimin në lidhje me këtë të Ministerialit të Energjisë së BE-së ku Shqipëria tashmë rrezikon përjashtimin nga Traktati i Energjisë apo hetimin e OLAF-it dhe ndëshkimin për fondet e keqdrejtuara (apo më saktë të përlara) të IPARD-it i cili e ka dëmtuar edhe më tepër një sektor që zë një përqindje të konsiderueshme të PBB-së dhe ushqen mijëra familje fermerësh të ndershëm shqiptarë. Ndërkohë që fermerët në mbarë BE-në janë ngritur në revoltë për drejtimin e politikave të përbashkëta bujqësore që kanë cënuar disi sigurinë e tyre, fermerët tanë përvec ndonjë proteste sporadike, kanë zgjedhur mesa duket të largohen nga fshati drejt metropolit apo larg në emigrim.
Por vëmendja ndaj rajonit është jo vetëm në kuadër të fazave të tyre të integrimit në Bashkimin Evropian dhe vëmendjen që merr nga Brukseli rajoni që prej dekadash është konsideruar si “kopshti i pasëm” i shtëpisë së BE-së. Kthimi i vëmendjes nga Washingtoni drejt rajonit përmes “Kapitullit F për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor” në ligjin vjetor të mbrotjes së SHBA- NDAA 2026 ligjin vjetor të mbrojtjes së SHBA, ku Ballkani Perëndimor trajtohet si një hapësirë ku demokracia, korrupsioni, media, ekonomia dhe siguria kibernetike shihen si pjesë e të njëjtit problem strategjik, është një tjetër dritë shprese se mungesës së llogaridhënies nga autokratët e regjimeve klienteliste në rajon i ka ardhur fundi.
Përsa i përket ngjarjeve kryesore përqark globit, bota pa disa konflikte të vazhdueshme për të disatin vit si konflikti në Gaza, apo lufta Rusi-Ukrainë. Ndërsa për rastin e parë, plani i presidentit Trump me 20 pika duket se i ka dhënë një kornizë armëpushimi dhe mundësie të prekshme për një zgjidhje sado të dhimbshme të përkrahur nga shumica e shteteve të botës, plani i ri po 20-pikësh i dakordësuar së fundmi mes SHBA-së dhe Ukrainës pret të marrë miratimin e Federatës Ruse për të zgjidhur një konflikt thuajse 4-vjeçar, t’i jepte fund gjakderdhjes dhe humbjes së jetëve të çmuara njerëzore në konfliktin më të gjatë ndër-shtetëror në kontinentin evropian qysh prej luftës së dytë botërore.
Njëzet pikat e dakordësuara në planin e ri të paqes mes SHBA dhe Ukrainës dhe që pritet t’i propozohen zyrtarisht Rusisë janë një rrugëzgjidhje që do t’i hapte rrugën sigurimit të kufijve të jashtëm të BE-së, integrimit të Ukrainës në BE dhe rindërtimit të shpejtë të saj, garancive të sigurisë kryesisht nga SHBA por edhe nga BE, forcimit afatgjatë të marrëdhënies transatlantike brenda NATOs pavarësisht luhatjeve të muajve të fundit, si dhe krijimin e një klime besimi të domosdoshme për paqe afatgjatë dhe siguri rajonale.
Viti që po lëmë pas ka shenjuar dhe kriza të tjera që kanë prekur dhe disa nga arteriet kryesore të transportit, ka vështirësuar tregtinë botërore përmes bllokimeve të njëanshme, sanksioneve dhe tarifave, ka tjetërsuar dhe vështirësuar tregun e punës edhe për shkak të shpërthimit të investimeve në inteligjencë artificiale. Që një pjesë e mirë e parashikuesve e paralajmëron edhe një flluskë të mundshme përgjatë vitit që vjen dhe që ndeshet aktualisht me mungesë burimesh si tokë, ujë dhe energji.
Gjithashtu viti që po lëmë pas ka thelluar si kurrë më parë polarizimin socio-ekonomik me një hendek financiar që ndoshta nuk do të rikuperohet më, ku shtatë kompanitë më të mëdha kanë kaluar në vlerë dhe disa nga shtetet me ekonominë më të madhe ndërkohë që ka ashpërsuar dhe klimën politike në mbarë globin. Një vit që po rithekson nevojën e rikrijimit të sferave të influencës dhe që flet përherë e më tepër me gjuhën e diktatit të fuqisë dhe interesave shtetërore, siç në fakt ka qenë trajektorja e pjesës më të madhe të historisë politike njerëzore pavarësisht iluzionit të periudhave aftashkurtra pas luftërave botërore, qoftë asaj të parë, të dytë apo luftës së ftohtë. Një vit që ka theksuar gjithashtu nevojën për stabilitet çka e demonstron edhe rritja e pabesueshme e çmimit të arit, argjendit apo të patundshemeve në nivel global ndërkohë që ka shenjuar njëherazi edhe humbjet më të mëdha nga krimi kibernetik financiar që ka synuar kryesisht portofolet kripto.
Një zile paralajmëruese kjo dhe për nxitimin e politikanëve këtejpari që bëjnë thirrje të nxituara për fundin e cash-it në ekonomi ndërkohë që të dhënat e shqiptarëve duke nisur nga e-albania dhe akshi si gardian, janë dhunuar si kurrë më parë.
Albania
Elozhi i kujtesës
nga Mira Meksi Shkrimtare
Shënime mbi romanin ‘Engram’të Brunilda Zllamit
Shpesh kam thënë se për t’u mirëdrejtuar në xhunglën ngalakeqe të botimeve të sotme letrare, duhet feneri i filozofit cinik Diogjenit. Ndërsa ai kërkonte ‘njeriun’, sot kërkohet ‘libri letrar’. As me këtë fener në dorë nuk është e lehtë të gjendet. Mbetesh gjembaçve dhe drizave të botimit të gjithkujt që, me mendjelehtësi fëmijërore, a me shpresë se do të bëhet i pavdekshëm, i futet mjeshtërisë së tejvështirë të shkrimësisë, pa patur as më të voglën përgatitje, dhe pa asnjë grimcë talenti. Rezultati është një tmerr i vërtetë, i cili jo vetëm e ka qorollisur lexuesin, që po thyen këmbët hendekëve të librave të shkruar tmerrësisht keq, duke ia neveritur letërsinë shqipe, por edhe po dëmton rëndë gjuhën shqipe.
Në këtë panoramë të zezë të letërsisë së sotme shqipe, ka sigurisht libra të shkruar shumë mirë dhe mirë, që feksin si dritëza në errëtinë e kësaj panorama, dhe që japin shpresë për të ardhmen e letërsisë së gjuhës sonë. Ndër këto të pakta drita, për mua, është edhe romani më i fundit i shkrimtares së njohur Brunilda Zllami, Engram. Romani është realist, siç janë në përgjithësi romanet e kësaj autoreje, me elementë të shumtë dhe të spikatur të romanit psikologjik. Trajton tema, ngjarje, probleme dhe plagë të shoqërisë së sotme shqiptare, por edhe më gjerë – probleme që prekin vetë Njeriun.
Janë përsiatje mbi marrëdhëniet prind-fëmijë, mbi botë që nuk afrohen, përkundrazi: një baba që mundohet të formësojë jetën e të birit në çdo aspekt, sikur të ishte jeta e tij, apo ajo pjesë e jetës së tij që e kish dëshëruar pa e arritur dot kurrë. Duke e damkosur kësisoj jetën e të birit me fatkeqësi.
Janë përsiatje mbi hipokrizinë njerëzore, arrivizmin, moralin e nëpërkëmbur, etjen e shfrenuar për pushtet, për para- fëlligështia e njeriut e ngritur në lartësinë e vlerës në shoqërinë moderne shqiptare.
Janë përsiatje mbi dashurinë, të gjitha llojet e dashurisë: dashuritë e pamundura, të rrezikuara, dashuritë e zhbëra, ato të pavërteta, dashuritë e helmëta, dashuritë jetëshkurtra, dhe ato që lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirt. Dashuritë që të shpëtojnë jetën dhe ato që të vrasin…
Janë përisatje mbi pendesën: ‘Pendimet janë të rënda. Si gurë të çrregullt futur në një trastë që je i detyruar ta mbash në supe…..Pendimet janë të hidhura. Si lot që nuk ke derdhur, si fjalë që s’kanë buruar prej teje, si ofshama që i ke mbytur brenda’.( Engram)
Janë përsiatje mbi përballjen e njeriut me sëmundjen, me pafuqinë, me bjerrjen e trupit dhe shpirtit, me humbjen e Kujtesës. Me keq se vetë vdekja.
Janë përsiatje mbi vetsakrifikimin për të mbrojtur me vdekje dashurinë që zhbëhet nga sëmundja.
Mjeshtre e zhbirimit të psikës njerëzore, Zllami prek tejzat e trurit, pret me bisturi, rrëmon lëndën gri për të gjetur djepin, skutën, matricën e Kujtesës. Engramin. ‘ Ku jetojnë kujtimet? Në mendje, shpirt, pafundësi? Janë vetëm pjesë e qenies sonë, apo një pjesëz e koshiencës universale? Çfarë është njeriu pa kujtime?’. ‘Çfarë janë engramët? Pyet autorja dhe përgjigja vjen: ‘Janë vendi ku ruhen kujtimet’( Engram)
Personazhet në roman janë të shumtë, gjallojnë në Londër dhe Tiranë. Autorja përdor një strukturë që ka dalë të jetë e suksesshme në romanet e saj: kapituj sërë-sërë ndërtojnë secili nga një personazh, të ri gjithsaherë, si rrezet e një dielli, që konvergojnë në diell, pra në një pikë – arena ku bashkëveprojnë me njëri-tjetrin.

Pjesa më e madhe e ngjarjeve rrëfehet në retrospektivë, me anë të kujtesës a kujtimeve. Pjesët onirike të librit, sentencat e tij mbi gjithë sa thamë më sipër, janë të mrekullueshme.
Larg së qeni optimist, romani të mëkon gjithsesi me shpresën, të cilën e vendos pikërisht në ENGRAM:
‘Kujtimet janë vetja jonë. Ato na mbajnë kur mund të biem, na ngrenë kur rrëzohemi, na kthejnë në jetë kur vdesim. Të endura nga engramët si fatkrijueset e dikurshme…Janë ato që shkruhen me bojën e yjeve që na krijuan, e mbeten edhe kur jemi larguar’.( Engram)
Romani ‘Engram’, i pazakontë, i rrallë në llojin e vet, ka një gjuhë të pasur dhe fort të limuar, një shqipe të stolisur me metafora dhe fjalëformime elegante, e cila është në gjendje të mbartë dhe të na përçojë emocione të mëdha.
Albania
Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
Buxheti i shtetit po “vuan” nga një sëmundje kronike. Taksat mblidhen, por nuk shpenzohen. Të dhënat flasin se vetëm për muajin dhjetor fondet buxhetore që duhen të shpenzohen janë afro 2 miliardë euro. Ky përqendrim i fondeve vetëm në një muaj, për ekspertin e ekonomisë Albert Gajo, tregon anomali. I ftuar në emisionin E-ZONE, z. Gajo tha se shkaku kryesor vjen nga keqplanifikimi.
“Zbatimi i buxhetit me akte normative nuk është një tregues normal, është një tregues për një realitet anormal. Në plan të parë, kjo situatë vjen nga keqplanifikimi. Ministria përgjegjëse ka dëshmuar ndër vite që nuk ka mundur të planifikojë si duhet buxhetin, çka do të thotë se po ia lëmë rastësisë dhe, në varësi të asaj që sjell koha, hartojmë aktet normative. Kjo nuk është e shëndetshme ekonomikisht” – tha Gajo.
Gjatë kësaj jave, qeveria me aktin e katërt normativ ndryshoi sërish buxhetin. Në fokus ishte ndarja e një bonusi prej 15 mijë lekësh për familjet në nevojë.
Paralelisht, përveç bonusit, pati edhe një rishpërndarje të fondeve, ku një fond i konsiderueshëm i pashpenzuar kaloi në llogarinë e posaçme të hapur pranë Bankës së Shqipërisë për skemën e pensioneve.
“Pas keqplanifikimit, një tjetër arsye pse jemi në këtë situatë është edhe aftësia e administratës publike për të zbatuar në kohë zërin e investimeve. Vonesat në lidhje me realizimin e investimeve publike lidhen edhe me mungesën e profesionalizmit të stafit në agjencitë publike. Jemi një vend që po kërkojmë të hyjmë në BE, por nuk po i përdorim si duhet fondet tona të brendshme, ndërkohë që duhet edhe të përthithim ndihma fondesh nga BE-ja” – tha Gajo.
Eksperti Gajo thotë më tej se bonuset janë një politikë e paqëndrueshme, pra individët nuk mund të bëjnë dot parashikime të shpenzimeve, pasi nuk kanë qartësi. Ndaj, një praktikë e tillë, edhe pse e domosdoshme për familjet në nevojë, nuk është e këshillueshme të zhvillohet në mënyrë rastësore.
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania12 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania12 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania13 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK11 hours agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Kosova14 hours agoDalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind
-
Bota12 hours agoPresidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump
