Një fitore minimale e Shqipërisë në Andorra 1-0 dhe një humbje 2-0 e Serbisë në Angli e ka dërguar kombëtaren shqiptare të futbollit për herë të parë në histori automatikisht në play-off të kampionatit botëror të futbollit 2026. Një arritje historike për kombëtaren e kombit tonë. Pas 7 ndeshjeve, Shqipëria në grupin K grumbulloi 14 pikë, me 4 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje. Ndeshja përmbyllëse e eliminatoreve të së dielës në “Air Albania” kundër Anglisë ka vlerë vetëm statistikore pasi shqiptarët janë me sy e veshë nga ndeshjet e kundërshtarëve dhe përgatitjet për ndeshjen vendimtare të play-off në mars 2026.
Një gol klasi i Kristjan Asllanit në minutën e 67′ i ka mjaftuar Shqipërisë për të fituar në Andorra një ndeshje shumë të vështirë për kombëtaren tonë. Insistimi i skuadrës, ndërrimet në momentin e duhur, shpirti i lartë i garës dhe etja për fitore sollën një rezultat që gëzon çdo shqiptar.
Shqipëria provoi në të gjitha drejtimet për të çarë murin mbrojtës të Andorrës e cila kundërsulmoi rrezikshëm në disa raste. Shqipëria ishte e vendosur mirë në fushë, e pagabueshme në pasime vertikale e horizontale dhe dominoi ndeshjen me 66% të mbajtjes së topit dhe 90% saktësi të pasimeve të realizuara.
Edhe pse kishte një grup shumë të vështirë, Shqipëria zhvilloi eliminatore të një niveli të lartë duke u bazuar te boshti i skuadrës duke gërshetuar përvojën me talentet. Kombëtarja e futbollit ka pasur një rritje të admirueshme vitet e fundit duke qenë e vështirë për çdo kundërshtar. Ky rezultat është tregues i punës, përkushtimit, disiplinës e filozofisë së trajnerit Sylvinho e stafit profesional. SHBA, Kanadaja dhe Meksika do të presin finalet e Kupës së Botës 2026, ku Shqipëria dhe Kosova kanë shanse të larta që të marrin pjesë për herë të parë në histori.
Forca kombëtarja kuq e zi…Ti Shqipëri më jep nder…
Foto: fshf






