Holanda i bashkohet shteteve që kanë vendosur të heqin masat e vendosura për parandelimin e pandemisë. Kryeministri, Mark Rutte përmes një deklarate për mediat bëri të ditur se duke nisur nga data 5 qershor do të hiqen një sërë kufizimesh.
Vendimi është marrë pas analizimit të të dhënave mbi përhapjen e koronavirusit, ku rezulton një rënie e ndjeshme e shtrimeve në spitale apo të personave që preken prje tij.
Rutte u shpreh se ekspertët kanë bërë dhe analizë të asaj se çfarë mund të ndodh me heqjen e masave duke paralajmëruar se, nëse shifrat do të rriten atëherë do të ketë masa të reja.
Megjithatë ai e ka përjashtuar rrezikun duke u shprehur se shkencëtarët e konsiderojnë të pamundur përhapjen e mëtejshme.
Qeveria holandeze kohët e fundit i dha fund shtetrrethimit dhe lejoi restorantet dhe kafenetë t’u shërbenin klientëve në tarraca.
Pronarët e restoranteve tani do të lejohen të shërbejnë në ambiente të mbyllura deri në orën 22:00. Muzetë do të lejohen të hapen me një vizitor për metër katror, teatrot dhe kinematë do të jenë në gjendje të akomodojnë maksimumi 50 vizitorë.
Italia, gjermania dhe shtete të tjera kanë vendosur të lejojnë aktivitetet duke hequr një sërë masash kufizuese. Megjithatë bëhet e ditur se komitetet e ekspertëve do të jenë gjithnjë në gatishmëri.