Prekazi ishte epiqendra e festive për 28 Nëntorin në Kosovë. Përfaqësues politikë dhe të institucioneve nderuan sakrificën e të rënëve për liri.
“Kjo është ditë feste për shqiptarët kudo që ndodhen. Është ditë e shenjtë për ne dhe prandaj qytetarët nga të gjitha trevat, përfshirë edhe nga mërgata vijnë dhe festojnë këtu në Prekazin e lavdishëm, një ndër vendet më të shenjta që kanë trevat shqiptare”, tha kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.
“Ngado që të nisemi si komb, nga këtu fillojmë. Nga Prekazi legjendar, Prekazi i sakrificës, nga Prekazi i heroizmit, nga Prekazi që është një kujtim dhe mësim i përhershëm që atdheu, liria duhet të duhen pa kushte”, tha Vlora Çitaku nga PDK.
“Këto festa ne i dimë që janë të mangëta për arsye se ne i kemi krerët e UÇK-së në Hagë padrejtësisht po mbahen atje nga një gjykatë. Por ja që na ndodhi kjo dhe shpresojmë e besojmë që vitin e ardhshëm do t’i presim këto festa bashkërisht me ta”, tha Hysni Gucati, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK.
Qytetarë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare janë mbledhur këtë të premte në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz për të festuar jo vetëm Ditën e Flamurit, por për të shënuar edhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo festë e trefishtë e gjeti Kosovën në një krizë politike, prandaj edhe qytetarët kërkuan më shumë angazhim e bashkëpunim për hir të shtetit të Kosovës.
Në Prekaz jehoi edhe kënga labe në nderim të Adem Jasharit dhe dëshmoreve të Kosovës. Përpos në Prekaz, 28 Nëntori u shënua në të gjitha komunat e Kosovës përmes aktiviteteve të ndryshme.




