Home Office nis fushatë reklamuese për shqiptarët, synon të ndalë kalimin me gomone
Një metodë e re për të bindur shqiptarët që synojnë të emigrojnë drejt Britanisë së Madhe se kalimet ilegale në Kanalin Anglez janë të rrezikshme dhe se do të përballen me deportim, po përdoret nga Home Office.
Sipas fushatës së re reklamuese që ka nisur në Britani, postera dygjuhësh në shqip dhe anglisht do të synojnë të pengojnë kalimet në Kanal.
Në një prej posterave shkruhet mesazhi se njerëzit do të “përballen me ndalim dhe largim” nga Britania.
Home Office ende nuk ka sqaruar sesa pritet të kushtojë reklamimi, por njoftoi se do të nisë në Shqipëri javën e ardhshme dhe do të bëjë të qartë rreziqet që mund të hasin emigrantët me gomone.
“Ne jemi të vendosur të ndalojmë gomonet dhe fushata që nis në Shqipëri këtë javë, është vetëm një komponent i punës së Home Office për të ndihmuar në rrëzimin e miteve rreth udhëtimeve të paligjshme në MB, për të shpjeguar realitetet dhe për të luftuar gënjeshtrat e kontrabandistëve që përfitojnë nga kjo tregti e ndyrë“, tha ministri i Emigracionit, Robert Jenrick.
Laburistët teksa komentuan fushatën e re thanë se është një formë e qeverisë për të lypur besimin e emigrantëve me shpresën që do të ndërgjegjësohen.
Ndërkohë, a aktivistët e quajtën formën e reklamimit të pakuptimtë pasi numri i kalimeve në Kanal mbetet i lartë pavarësisht masave të ngjashme të zbatuara vitin e kaluar.
Tim Naor Hilton, shefi ekzekutiv i Refugee Action, tha se “kjo është një tjetër fushatë e pakuptimtë që tregon se ministrat refuzojnë të kuptojnë se një pakicë e vogël refugjatësh në botë kanë arsye shumë të fuqishme për të ardhur në MB”.
Reklamat në shqip në Facebook dhe Instagram u lançuan gushtin e kaluar në përpjekje për t’i bërë shqiptarët të hiqnin dorë nga kalimi në Kanal, por shifrat e azilkërkuesve treguan se masa nuk ishte efektive.
Në 2022, shqiptarët u bënë kombësia më e zakonshme që aplikonte për azil në Mbretërinë e Bashkuar me 13,714 aplikime, 9,487 prej të cilëve kishin mbërritur me gomone.