Mijëra demonstrantë të dielën dolën në rrugët e Hong Kongut në shenjë proteste kundër planit të Pekinit për vendosjen e ligjit të ri për siguri nacionale në territorin gjysmautonom, raporton Anadolu.
Demonstrantët u mblodhën në distriktet Causeway Bay dhe Wan Chai duke brohoritur parulla antiqeveritare, ndërsa mund të dëgjoheshin edhe parullat “Qëndro me Hong Kongun” dhe “Shpëto Hong Kongun”.
Automjetet me topa uji dhe autoblindat u vërejtën rreth Causeway Bay, kurse policia në Wan Chai gjuajti gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e mbledhur të njerëzve. Rreth 120 persona u arrestuan, duke përfshirë edhe aktivistin e shquar prodemokratik Tam Tak-chi.
Po ashtu, katër policë u lënduan nga demonstrantët që hodhën tulla, thanë zyrtarët.
Një projekligj për vendosjen dhe përmirësimin e sistemit ligjor dhe mekanizmave të zbatimit për Hong Kongun u dërgua në Kongresin Kombëtar të Popullit të Kinës (NPC) për diskutim të premten për të ndryshuar statusin afatgjatë të territorit.
“Rreziqet gjithnjë e më të dukshme të sigurisë kombëtare në rajonin e veçantë administrativ të Hong Kongut janë bërë problem i madh”, tha nënkryetari i Këshillit të Përhershem kinez të NPC-së.
SHBA dhe Kanadaja të shqetësuara për projektligjin
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo të premten kritikoi legjislacionin e propozuar të Kinës për sigurinë kombëtare në Hong Kong, duke e quajtur atë “të njëanshëm dhe arbitrar”.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau të premten po ashtu shprehu shqetësimin e tij për mundësinë e shtypjes nga Kina të demonstratave prodemokratik në Hong Kong.
Hong Kongu, një rajon autonomy kinez nga viti 1997, ka qenë skenë e protestave që nga fillimi i vitit 2019 kundër hapave të administratës së Carrie Lam që të legalizojë ekstradimin në Kinën kontinentale. Qeveria ka hequr dorë nga ky propozim, por demonstrantat në rrugë kanë vazhduar, ndërsa vëzhguesit ekonomikë ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësim për shkak të parametrave ekonomike lidhur me selinë e rëndësishme të biznesit ndërkombëtar.