Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi qeverinë, Kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti, përmes një konference për mediat ka reaguar lidhur me këtë vendim.
Hoti ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke zyrtarizuar tashmë edhe zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.
Ai u shpreh se do të kujdeset që asnjë punë të mos mbetet mbrapa derisa të vendoset për qeverinë që do të ketë mandat të plotë, teksa bëri thirrje që Kuvendi të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti i vitit 2021.
“Vendimi i Kushtetueses u bë publik. Unë e pranoj plotësisht dhe do ta respektojë pa asnjë diskutim. Nuk do të lëshohem në deklarata për këtë vendim të Kushtetueses. Më vjen mirë që Kushtetuesja e ka sqaruar. Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Ne do të vazhdojmë punën tonë. Është obligim kushtetues të përfillen procedurat për shpalljen e zgjedhjeve. Do t’i kryejmë obligimet tona. Siguroj qytetarët dhe partnerët tanë, bizneset, do të jemi në krye të detyrës, sidomos me menaxhimin e situatës me pandeminë.
Përpara kemi punë të rëndësishme edhe buxhetin. Bëj thirrje që Kuvendi të mos shpërbëhet pa u votuar buxheti për vitin 2021. Një pjesë e buxhetit bazohet në disa marrëveshje ndërkombëtare. Prej që Kuvendi të miratojë buxhetin dhe këto marrëveshje ndërkombëtare. Do të vazhdojmë punën sipas planin, si qeveri në detyrë. Do të zbatojmë pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe në janar, presim të vazhdojmë pakon për vitin 2021. Të gjitha ministritë do të vazhdojnë punën sipas agjendës shtetërore, asnjë punë s’do të mbetet mbrapa”, tha Hoti.
Ditën e djeshme, Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi që çoi edhe në rrëzimin e qeverisë Hoti, e cila ka thuajse 6 muaj në detyrë.