Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se masat e reja të ndërmarra nga Qeveria për të parandaluar shpërndarjen e mëtejme të koronavirusit do të hyjnë në fuqi të hënën e 6 korrikut.
Të dielën në mesditë, Hoti në një konferencë për media kishte thënë se do të ndalohet qarkullimi i qytetarëve në komunat më të prekura, nga ora 21:00 deri në orën 5 të mëngjesit.
Kufizime ka thënë se do të ketë edhe për gastronominë, që do t’i lejohet të punojë vetëm në ambiente të hapura e me mundësinë “merre me vete”.
Këto masa është pritur të merren në mbledhjen virtuale të Qeverisë që ishte paraparë të mbahej me fillim prej orës 18:00. Akoma Qeveria Hoti s’ka njoftuar zyrtarisht për masat që janë vendosur.
Vendimet e reja merren pas shtimit të madh të rasteve të reja me COVID-19 dhe shtimit të rasteve të vdekjeve. Të shtunën u regjistruan 8 vdekje, e kishte 178 raste të reja. Të dielën u raportua për pesë pacientë që kanë vdekur në Klinikën Infektive.