Kryeministri Avdullah Hoti në fjalën e tij në Samitin e Sofjes që është mbajtur në mënyrë virtuale pjesëmarrës në të cilin ishin edhe Merkel e Macron ka thënë se Kosova është e përkushtuar që të largohen të gjitha barrierat e lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Hoti ka thënë poashtu se mosnjohja e Kosovës nga ana e Serbisë dhe Bosnjes pengon zhvillimin e plotë të potencialit të Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal.
“Ajo që na pengon neve për zhvillim të plotë të potencialit të Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal, është mungesa e normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis vendeve të rajonit, veçanërisht mungesa e njohjes së Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Unë, pres që procesi i dialogut në Bruksel do të përfundoj me sukses, së shpejti. Ne jemi të përkushtuar që t’i zgjidhim të gjitha çështjet bilaterale me Serbinë si pjesë e procesit të Brukselit”, ka thënë Hoti.
Hoti tutje ka thënë se Zona Ekonomike Rajonale në asnjë mënyrë nuk është alternativë për Integrimin Evropian.
“Në fund, më lejoni të theksoj se Zona Ekonomike Rajonale, në asnjë mënyrë nuk është alternativë për Integrimin Evropian.
Kjo duhet të na ndihmoj në ndërtimin e kapaciteteve të domosdoshme, për përshpejtim të anëtarësimit të plotë dhe të përbashkët të vendeve tona në Bashkimin Evropian.
Pikërisht për këtë, e mirëpres dhe e mbështes plotësisht këtë proces. Kosova do të ndërmerr të gjitha hapat e nevojshëm për ngritje të kapaciteteve, gjithnjë në baza të barabarta”, ka thënë ai.