Ekipi negociator i përfaqësuar nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, sot kanë zhvilluar një takim prej të cilit kanë nxjerrë platformën përfundimtare për dialogun e Brukselit.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se platforma e vetme e dialogut është Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe se çfarëdo formati tjetër i platformës është në kundërshtim me frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Sipas Hotit askush nuk duhet të eksperimentojë me shtetësinë e Kosovës.
“Platformë për dialog është Kushtetuta e Kosovës. Ekip negociator është Qeveria e Kosovës që ka legjitimitet politik për të ushtruar kompetencat e veta kushtetuese. Çdo format tjetër është jo kushtetues dhe nuk do të ketë përkrahje asnjëherë”, ka thënë Hoti.
Ai thotë se institucionet aktuale që po e përfaqësojnë Kosovën nuk kanë as fuqi e as legjitimitet politik.
“Kosova është shteti i pavarur dhe duhet të përfaqësohet nga institucionet kushtetuese. Pasi institucionet aktuale nuk kanë fuqi politike dhe as legjitimitet, atëherë duhet ndjekur rrugët për të fituar legjitimitetin fillimisht. Koalicioni PAN në asgjë nuk është unik përveç për të qëndruar në pushtet me çdo kusht”, ka shtuar deputeti i LDK-së.
Hoti ndër të tjera ka kritikuar edhe qasjen e kësaj qeverie karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke thënë se është hera e parë në historinë 30 vjeçare të Kosovës që po cenohen raportet me Amerikën.