Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, lidhur me tensionet në veri të Kosovës.
Pas takimit, Hovenier siguroi se SHBA vijon me qëndrimin për ta inkurajuar Qeverinë e Kosovës ta qetësojë situatën në veri.
“Nuk jam në pozitë të them çfarë mund të jenë pasojat e tjera. Por, SHBA-ja po mendon se çfarë mjete të tjera ka për ta inkurajuar Qeverinë e Kosovës për ta bërë atë që ne mendojnë që është e rëndësishme të bëhet tani: arritjen e qetësimit të situatës”, tha Hovenier.
I pyetur për sanksionet potenciale që mund t’ia vendosë SHBA-ja Kosovës për moskoordinim me të, Hovenier tha se “ka pasur disa pasoja, por shpresoj ta kalojmë këtë situate që të mos ketë pasoja të tjera”.
Si pasojë e parë për situatën e krijuar në veri të vendit, ambasadori Hovenier bëri të ditur më 30 maj se “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund” për Kosovën.
Protestat në tri komuna në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.
Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.