Gazetari Artan Hoxha mendon se Prokuroria e Posaçme do i shtojë akuzat dhe çështjet ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, pasi nuk janë vetëm dosjet e tunelit të Llogarasë dhe Loti 4 i Unazës së Madhe për të cilat është marrë e pandehur, por edhe raste të tjera si Tigri 1 dhe 3.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” mbrëmjen e sotme, ai shpjegoi procedurat që po ndiqen, tensionin tek mazhoranca dhe kryeministri, hetimet e thelluara dhe deri te seanca e nesërme e konfirmimit të masave të sigurisë në GJKKO ndaj Ballukut dhe të tjerave.
Hoxha tha se Rama do e largonte edhe Ballukun nga posti, ashtu siç kishte bërë me të tjerët, si rasti Erion Veliaj.
“Ata që kanë kontributin e madh, Rama gjithmonë i lë pas, i heq, Rama do e lëshojë Ballukun. Kaq shumë kallëzime ka Balluku atje, sa janë monumente. Mjafton tecet e lëvizshme Tigri 1 dhe 3, janë atje, të palëvizshme. Ndaj edhe gjyqtari Erion Çela e thekson, mund të helmojë hetimet, mund të ndikojë hetimet, ndaj e ka vendosur atë masë. Kjo i paraprin edhe kryeministrit, sepse edhe Rama po vepron si Berisha me 21 janarin, po ndikon te hetimet, mbajmë mend që Berisha pengoi ekzekutimin e masave për Gardën”, tha gazetari në “News 24”.
Por a mund të lehtësohet masa ndaj Ballukut nesër? Hoxha mendon se është e vështirë.
Ai shpjegon edhe se çfarë do ndodhë në GJKKO, procedurat që ndiqen, duke theksuar se mund të jetë edhe një gjyq maratonë.
“Masa është marrë, në raste shumë të rralla ndodh që ajo ta zbusë masën, si rasti i bashkëshortes së Erion Veliajt, për shkak të fëmijës së vogël u la detyrim paraqitjeje. Masa nesër është procedurë, lexohet kërkesa e prokurorit, gjyqtari i jep të drejtë zonjës dhe avokatit të flasë, bashkë me të tjerët, i dëgjon kundërshtimet që kanë me prokurorin dhe më pas GJKKO tërhiqet për vendim. Për shkak të volumit mendoj se do zgjasë si seancë me disa orë, por ka raste shkon edhe një orë. Por kjo është hera e parë që Balluku përballet me Gjykatën dhe do qëndrojë gjatë që t’i argumentojë”, shpjegoi ai.
Hoxha vuri theksin edhe tek hapat që do ndiqen nga pala e akuzuar, ku Balluku mund të apelojë me avokatët në GJKKO masën dhe paralelisht kërkesa e Kryeministrisë në Kushtetuese. Sipas tij, akuzat ndaj Ballukut mund të shtohen më tej, pasi ka dosje nën proces hetimi ende.
“Më tej kemi apelimin që do i bëhet çështjes, e më tej kemi këtë që ka adresuar Kryeministria në Kushtetuese, pra do kemi dy çështje në process pas ditës së nesërme. Akuzat ndaj Ballukut mund të shtohen në vijim, sepse janë shumë vepra të rënda të tjera që mund të shtohen për dosjet e tjera. Mendoj se akuzat do shtohen më tej, ka çështje të tjera. Nuk kanë vepruar si individë, por si grup, ka mesazhe e regjistrime, prokurori i ka ato, janë bisedat. Ka dhe hetime të tjera për Ballukun, ndaj prokuroria ka të drejtë ta rëndojë akuzën ndaj zv/kryeministres, po kjo s’do të thotë që GJKKO do e marrë parasysh”, u shpreh gazetari.
Hoxha komentoi edhe gjendjen e mazhorancës, duke u shprehur se e sheh të tensionuar kryeministrin.
“Kryeministri është shqetësuar pse dosja i ka rrjedhur në media, nga ana tjetër për këtë u bë reforma, duhet t’i qëndrojë deri në fund”, tha ai.




