Kreu në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka folur pas takimit që pati në Kuvend të Kosovës me kreun e LVV-së, Albin Kurtin dhe u.d e presidentit, Vjosa Osmanin.
“Kishim një takim shumë të mirë me kryetarin e LVV-së dhe me zonjën Osmani nga koalicioni fitues i këtyre zgjedhjeve, ishte një takim pas kërkesës sonë që PDK që procesi i formimit të institucioneve mund të ndodhë vetëm me një dialog të brendshëm në mes të opozitës dhe atyre që kanë fituar këto zgjedhje.
Qasja jonë ka qenë konstruktive dhe parimore. Ne kemi pas kërkesa dhe cështje të qarta që i kemi ngritë. Së pari ne mendojmë që në procesin e krijimit të institucioneve edhe ëpr presidentin duhet të flitet për parime para se të flitet për personin”, ka thënë ai.
Hoxhaj në këtë takim ishte me sekretarin e partisë, Uran Ismailin.
Kurti dhe Osmani kanë ftuar në takim kreun e PDK-së, AAK-së dhe LDK-së. Sot të dy do të takohen edhe me Ramush Haradinajn, derisa takimi me kryetarin e ri të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhikun, sipas këtij të fundit, mund të shtyhet për të premten.
Hoxhajtha se vendi ka nevojë për liderë institucionale që e bashkojnë skenën politike.
Ai thotë se ky takim ishte i pari mes pozitës së ardhshme dhe opozitës për formimin e institucioneve, e tregon se me Kurtin e Osmanin bisedoi për zgjedhjen e Presidentit.
“Para se të shkojë në një qasje më specifike se çka kemi diskutuar, më lejoni të ju kujtojë se pas 10 vitesh, ky është takimi i parë që ndodhë dhe komunikim normal mes qeverisë së ardhshme dhe opozitës, dhe kjo ndodh falë kulturës politike të PDK-së dhe qasjes sonë që përmes dialogut do të mund të japim secili prej nesh kontributin tonë për krijimin e institucioneve të reja”, ka thënë u.d i kryetarit të PDK-së.
“Për herë të parë, qeveria dhe opozita janë takuar për të biseduar për procesin e formimit të institucioneve, konkretisht zgjedhjes së presidentit”, shton ai.
Kjo, thotë Hoxhaj, ka ndodhur vetëm kur PDK-ja ishte në pushtet dhe e kishte takuar shefin e atëhershem të opozitës, Isa Mustafa, për ta zgjedhur Atifete Jahjagën presidente.