Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se instrumentalizimi politik i proceseve gjyqësore ndaj liderëve të UÇK-së, po e dëmton rëndë Kosovën, duke aluduar kështu për vërsuljen e kryeministrit Edi Rama ndaj Lulzim Bashës, raporton Express.
Sipas Hoxhës, një veprim i tillë nuk iu ndihmon as Thaçit e të tjerëve që gjenden në Hagë.
“Akuzat që janë gatuar nga kundërshtarët e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, Serbia dhe Rusia, nuk duhet të na gjej të përçarë e të papërgatitur. Prandaj instrumentalizimi politik i procesve gjyqësore ndaj liderëve të UÇK-së, për politikë ditore partiake, pavarësisht në Kosovë, Shqipëri e diku tjetër, nuk i shërben aspak Kosovës, përkundrazi, e dëmton rëndë atë. Nuk i ndihmon as shokët tonë në Hagë!”, ka shkruar Hoxha.
Rama ka kohë që po merret intenzivisht me ermin e UÇK-së në llogarinë e tij në Facebook, por edhe nëpër studio televizive.
Madje ai po akuzon edhe opozitën për bashkëpunim kundër luftës së UÇK-së. Lulzim Basha i PD-së është bërë objekt i një fushate të egër nga Edi Rama që e akuzon për tradhti ndaj Kosovës.