Gjatë së hënës, qindra huliganë serbë përdorën dhunë të pajustifikueshme gjatë protestes pranë komunës së Zveçanit në veri të Mitrovicës.
Të paktën 25 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur.
Demonstruesit që sulmuan në mënyrë të vazhdueshme pjestarët e NATO-s dhe Policinë e Kosovës në veri të Kosovës, mbanin kapele identike të veshura nga famëkeqi Veljko Belivuk.
Veljko Belivuk ishte lideri i një grupi kriminal që bënte shërbime për shtetin e Serbisë.
“Velko Belivuk, prijës i një bande të krimit në Beograd, i cili ka deklaruar se ka “kryer punë” për “shefin e madh” (A. Vuçiqin). Banda e Belivukut akuzohet, mes tjerash, se kufomat e të vrarëve i ka grirë në një makinë për grirjen e mishit në një fshat afër Beogradit”.
Jo vetëm kaq. Në protestë kishte edhe policë serbë të veshur me rroba civile, e që në duar mbanin shkoponjë gome dhe hekuri.
Prej tyre, është identifikuar, Dragan Smigiq. Dragani dyshohet se është një polic serb nga Rudara e Serbisë.
Ai u dërgua nga Vuçiq për të orkestruar dhunën në Kosovë.
Një fotografi që është shpërndarë në Twitter, shihet teksa Dragani godet me shkop policie ushtarët e NATO-s në Kosovë.
Po ashtu, në veturat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri, dhe në veturat zyrtare të KFOR-it huliganët kanë shkruar me ngjyrë të bardhë simbolin kombëtar të serbëve, ndërsa me ngjyrë të zezë shkronjën “Z” e cila është bërë simbol i mbështetjes për pushtimin rus të Ukrainës.
Që nga fillimi i luftës ruse në Ukrainë, shkronja Z është bërë simbol i agresionit rus.
Gjithashtu, simboli “Z” është parë disa herë më parë në veri, si dhe grafite të grupit paramilitar prorus Wagner.