Mbështetësit e Sali Berishës nuk e shikojnë përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve vendore të 14 majit tek vetja apo dhe lidershipi i tyre por tek qeveria të cilën e akuzojnë se ka vjedhur votat.
E megjithatë pranojnë se ka vend për reflektim. Deputeti Luan Baçi thotë se Berisha duhet të votëbesohet.
Deputeti Edi Paloka beson se largimi i Berishës do të shkatërronte Partinë Demokratike, siç kërkon edhe Rama, për të cilën thotë ai “ka bashkëpunuar edhe Alibeaj”
“Berisha nuk ka pse të bëjë asnjë hap pas sepse këtë e kërkon Edi Rama. Të gjithë ata që thonë të ikë Berisha duan që PD të shkalafitet. Gjithë loja që ka bërë Rama me Alibeaj të bëjnë një opozitë sa më e pafuqishme përballë makinerisë manipuluese kësaj qeverie. Ju thoni hajt tia plotësojmë këtë dëshirë Ramës e të ikim të gjithë të marrim rrugët, nga ne të parët. Alibeaj nuk ka dhënë dorëheqje se nuk kishte asnjë post, por Alibeaj mori misionin dhe e çoi në fund”
Eshtë i një mendimi me Berishën se zgjedhjet e 14 majit janë vjedhur por se realiteti duhet parë në sy dhe opozita ka problemet e veta dhe duhet rregullojë defektet e veta.
“ Ne do rregullojmë defektet tona. Ne e dimë realitetin. Kjo qeveri është, e dimë që i vjedhin. Ne duhet të marrim përgjegjësinë për tu përballur me këtë realitet, me një qeveri që nuk bën zgjedhje ose pastaj të shkojmë në shtëpi të gjithë. Si puna e çobanit me lopën që i thonin ke faj se të vodhën lopën” thotë Edi Paloka
Edhe deputetët Tritan Shehu e Luan Baçi pranojnë se opozita ka përgjegjësi për rezultatin e 14 majit por se lufta nuk duhet ndalur
“Unë them që duhet të mendojmë si t’i kundërvihemi këtij regjimi që duhen të gjithë forcat opozitare të vendit të luftojnë. Ky regjim përballohet vetëm me një lëvizje të madhe, asgjë tjetër’thotë Tritan Shehu.
A duhet të largohet Berisha?
Deputeti Luan Baçi thotë se Berishën mund ta largojnë vetëm demokratët
“Rezultati i 14 majit, vjedhje e paskrupullt e Ramës. Një betejë e pabarabartë dhe masakër zgjedhore. Opozita ka përgjegjësi dhe patjetër që do të jemi në konsultim të gjerë edhe për opozitën. Opinioni im është që vetëm vota të largon dhe askush tjetër. Vota e demokratëve dhe simpatizantëve. Berisha si gjithë të tjerët. Votëbesim do të bëhet” tregon Luan Baçi.