Gianluigi Buffon dhe Parma humbën të shtunën mbrëma mundësinë për t’u rikthyer në Serie A.
Ndeshja e luajtur në stadiumin “Ennio Tardini” përballë Cagliarit përfundoi me shifrat 0-0, teksa skuadra nga Sardegna iu gëzua triumfit në sfidën e parë me shifrat 3-2 duke u ngjitur në elitë për sezonin e ardhshëm.
Në fundin e ndeshjes, zhgënjimi ishte i lartë në radhët e Parmës teksa një nga ata që nuk i mbajti lotët ishte Gianluigi Buffon. Edhe pse në moshën 45-vjeçare dhe me një eksperiencë të jashtëzakonshme, nga të cilat ka fituar trofe të rëndësishëm, sërish “veterani” u prek teksa është në ndjekje të ëndrrës për të rikthyer skuadrën e Parmës në majën e futbollit italian. Theksojmë se ndryshe nga ndeshja e parë, Buffon këtë ndeshje nuk ishte në fushë për shkak të një problemi muskulor dhe se në këtë formë e vuajti edhe më shumë dështimin.
Aktualisht, Buffon ka edhe një vit kontratë me Parmën dhe synon ta përmbushë ndërsa nuk shfaq ende shenja dorëzimi dhe “pensionin” për momentin nuk e konsideron opsion.