Hungaria i del krah Kinës

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Hungaria ka bllokuar një deklaratë të Bashkimit Evropian me të cilën do të kritikohej ligji i ri i sigurisë në Hong Kong. Ky vendim pritet t’i vështirësojë përpjekjet për ta kundërshtuar kufizimin e lirive që Pekini po ia bën ish-kolonisë britanike.

Bashkimi Evropian, që po synon t’u ofrojë përkrahje Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara për t’i mbështetur të drejtat e njeriut në Hong Kong, kishte planifikuar që të dilte me deklaratë të hënën gjatë një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së, por dështoi që të arrinte përkrahje nga të gjitha vendet anëtare.

“Arsyetimi i Hungarisë ishte që BE-ja tashmë ka shumë probleme me Kinën”, i tha agjencisë Reuters një diplomat i Bashkimit Evropian. Një diplomat tjetër i lartë i konfirmoi bllokimin e deklaratës dhe pozicionin e Hungarisë. Një zyrtar i BE-së tha se deklarata tashmë është tërhequr nga procesi i aprovimit.

Diplomatët hungarezë në Bruksel nuk ishin të qasshëm për të dhënë komente. Budapesti me ngurrim i përkrahu sanksionet e BE-së muajin e kaluar, duke i quajtur “të pakuptimta” dhe e priti për vizitë zyrtare ministrin kinez të Mbrojtjes disa ditë pas vendosjes së sanksioneve nga BE-ja.

Hungaria është përfituese e madhe e investimeve kineze. Në të kaluarën, Hungaria dhe Greqia, ku një kompani kineze e ka shumicën e aksioneve në portin më të madh grek, kanë bllokuar deklarata të BE-së për Kinën.

Perëndimi thotë se ligji i ri i sigurisë në Hong Kong e shkel premtimin për ruajtjen e shkallës së lartë të autonomisë për qytetin që u kthye nën kontrollin kinez në vitin 1997.

Share This Article