Sot hyn në fuqi nisja e transaksioneve të Shqipërisë në SEPA, zonën e pagesave në Euro, një hap historik që e vendos vendin në të njëjtin sistem pagesash me Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare të saj.
Në ceremoninë e nisjes së transaksionit të parë SEPA të Shqipërisë, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, e cilësoi këtë moment si një arritje të prekshme për qytetarët dhe bizneset shqiptare, ku transaksionet do të jenë më të lira dhe më të shpejta.
Futja e Shqipërisë në SEPA, tha Gonzato, do të ndihmojë në formalizimin e ekonomisë, përmirësimin e tregtisë dhe forcimin e lidhjeve ekonomike me BE-në.
“Shqipëria dhe Mali i Zi fillojnë funksionimin e transaksioneve me BE njësoj si çdo anëtar tjetër i kësaj zone përmes SEPA. Kjo është një arritje e prekshme për qytetarët dhe kjo arritje vjen si rrjedhojë e një procesi të gjatë dhe sfidues për përmbushjen e kërkesave të KiE përfshirë edhe luftën kundër pastrimit të parave e domosdoshme për anëtarësimin në SEPA, e cila është pjesë e planit të rritjes për Ballkanin. Në këtë rast përfitimet janë të prekshme për qytetarët. Sot shqiptarët ndihen të barabartë me çdo qytetarët të BE pasi transaksionet do jenë më të lira, më të shpejta dhe më efikase. Kur angazhimet politike ndiqen me vendosmëri sjellin rezultate konkrete me qytetarët dhe tregon se BE është e serioze me mbajtjen e premtimeve të saj nëse përmbushen të gjitha kushtet.
Qytetarët dhe familjet e tyre do kursejnë në dërgesat në para, bizneset do kursejnë kohë dhe para në transaksionet e tyre me partnerët evropianë por edhe turistët mund të bëjnë pagesa pa para në dorë njësoj si në BE duke u ndjerë si në shtëpinë e tyre. Formalizimi i ekonomisë do të përforcohet më tej dhe tregtia do të përmirësohet”, tha Gonzato.
Ambasadori Gonzato theksoi se kjo nismë është pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që synon më shumë konvergjencë ekonomike e sociale me BE-në.
“Thellimi i reformave për anëtarësimin në BE dhe rritja ekonomike e vendit do të sjellë përfitime të gjithë shoqërisë, bizneset dhe jo vetëm një pakice. Qëllimi ynë është i thjeshtë, më shumë konvergjencë në lidhje ekonomike dhe sociale, përafrim më i shpejtë me rregullat e BE dhe lidhje të ngushta mes BE dhe rajonit. Nëse realizohen këto BE do të lirojë fonde shtesë deri në 1 miliardë euro përfshirë investime të mëdha infrastrukturore”, tha ambasadori.
Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, e cilësoi këtë si një “moment historik për tregun financiar shqiptar”.
Guvernatori shtoi se anëtarësimi në SEPA është rezultat i një rrugëtimi shumëvjeçar të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve financiare, dhe ftoi bankat të promovojnë shërbimet SEPA dhe të informojnë klientët për përfitimet konkrete.
“Ky nuk është thjesht një zhvillim teknik në sistemin e pagesave, por një gur themeli në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në infrastrukturën financiare evropiane. Ky moment nuk është fryt i rastësisë; ai është rezultat i një rrugëtimi shumëvjeçar të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve financiare shqiptare, të cilat kanë punuar hap pas hapi për të ndërtuar themelet e një sistemi modern pagesash.
Anëtarësimi në SEPA ishte një objektiv strategjik i Bankës së Shqipërisë, i lidhur drejtpërdrejt me Planin e Ri të Rritjes së Bashkimit Evropian. Banka e Shqipërisë u bën thirrje bankave tregtare dhe institucioneve financiare që të promovojnë aktivisht shërbimet SEPA, të informojnë klientët për përfitimet konkrete dhe të investojnë në përmirësimin e mëtejshëm të platformave digjitale. SEPA përkthen vizionin tonë të integrimit financiar në përfitime të prekshme për qytetarët e bizneset: kosto më të ulëta, shpejtësi më të lartë dhe siguri të shtuar”, tha Sejko.
Hyrja në fuqi e SEPA-s, do të ofrojë transfertat deri në 5 herë më të lira, transaksione më të shpejta e më të sigurta, transparencë dhe efiçencë.