Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka miratuar Udhëzimin, i cili përcakton rregullat e hollësishme për procedurën dhe dokumentacionin që duhet ndjekur nga bashkitë për shpalljen e Zonave Prioritare të Zhvillimit (Zonave të Zhvillimit) në territoret e tyre, në kuadër të zbatimit të ligjit “Për paketën e maleve”.
Qëllimi i këtij udhëzimi është nxitja e zhvillimit të ekonomisë malore, duke adresuar pengesat që lidhen kryesisht me rregullimin e pronësisë.
Procesi i identifikimit nga bashkitë
Bashkitë udhëzohen të veprojnë me transparencë dhe eficiencë, duke ndjekur këto hapa. Fillimisht caktimi i strukturës përgjegjëse.
Kryetari i Bashkisë duhet të caktojë një strukturë për hartëzimin e zonës së zhvillimit dhe mbledhjen e kërkesave për interes nga platforma digjitale e dedikuar
Duhet të bashkëpunohet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) për të marrë informacion të përgjithshëm mbi pasuritë shtetërore kundrejt atyre private në zonën e propozuar, me qëllim që të evidentohen vështirësitë e pronësisë. ASHK duhet të përgjigjet brenda 5 ditëve.
“Duhet të hartohet një relacion ku analizohet nevoja e shpalljes së zonës, potencialet e saj (ekonomik, turistik), prania e poseduesve jopronarë, si dhe vështirësitë në dhënien e lejeve të zhvillimit për shkak të mosrregullimit të pronësisë private.”, thuhet në Udhëzim.
Dosja e Propozimit
Pas këtyre hapave përgatitet dosja me kërkesën, relacionin dhe hartën sipas sistemit KRGJSH (Koordiantet Rrjetës Gjeodezike Shqiptare), duke renditur edhe aktivitetet e synuara (p.sh., turizëm, industri).
Vlerësimi dhe miratimi nga ministria
Pas përgatitjes së dosjes, Kryetari i Bashkisë ia dërgon atë Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor për vlerësim.
Nëse dokumentacioni është i plotë dhe kriteret ligjore janë përmbushur, Ministri i propozon Këshillit të Ministrave shpalljen e zonës.
Në rast të kundërt, kërkesa mund të refuzohet me arsyetim. Bashkia ka për detyrë të publikojë vendimin e qeverisë dhe të gjithë informacionin përkatës në faqen zyrtare dhe në platformën digjitale të dedikuar.
Udhëzimi ngarkon gjithashtu Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV) si sekretariat teknik dhe për mbështetjen e kapaciteteve të bashkive, ndërsa ASHK duhet të bashkëpunojë për saktësimin e gjendjes së regjistrave të pronësisë në zonat e synuara.