Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka thënë se statuti i Asociacionit duhet të bëhet nga ekspertët që si i tillë të mos ndërhyjë në asnjë nivel të qeverisjes në Kosovë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Hyseni e sheh politikën e jashtme si të dështuar, ku fajtorë kryesor i bën presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe ministren e Punëve të Jashtme, Gërvalla.
Hyseni thotë se marrëveshjet që nuk janë zbatuar nuk duhet të jenë pjesë e pakos së përgjithshme e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Teksa ka folur për përfshirjen e SHBA-së dhe kërkesën për themelimin e asociacionit, Hyseni e konsideron si këshillë dashamirëse.
apelon që kërkesa e partnerëve ndërkombëtar të mos quhet si presion. Ai thotë se e njëjta mund të konsiderohet edhe në kohën kur NATO ka bombarduar mbi Serbinë.
“Asociacioni është pjesë e Kushtetutës, pra pako e Ahtisarit, mbi të cilën Kosova e ka shpallur Pavarësisë. Pra është çështje e hartimit të statutit dhe aty natyrisht do të kërkohet kreativitet nga institucionet e Kosovës, nga ekspertët që do të merren me atë punë në mënyrë të sigurohemi që Asociacioni nuk ndërhynë në asnjë mënyrë, në asnjë nivel të qeverisjes në Kosovë e sidomos duhet të sigurohemi që Asociacioni nuk duhet të përbëjë një rrafsh të tretë të Qeverisë. Dhe kjo besoj që është lehtë e arritshme. Gjithsesi mendoj dhe kam një bindje të thellë dhe këtë qëndrim kam mbajtur unë si kryenegociator që as Asociacioni dhe asnjë marrëveshje tjetër që nuk është zbatuar deri më tani duhet të zbatohet vetëm si pjesë e pakos së përgjithshme që i bie si pjesë e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme ndërkombëtarisht të garantuar që përbën njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, ka thënë Hyseni.
Tria institucionet kryesore për politikën e jashtme, Hyseni i quan anemike, teksa thotë se Osmani, Kurti e Gërvalla, Kosovën në botë po e paraqesin si vend të korruptuar e të krimit, teksa i kundërshton ato.
“Nuk e di a do të ngec, sidoqoftë ka ngecur tani për tani dhe kjo vjen kryesisht si rezultat kam frikë unë nuk do të doja të ishte ashtu si mendoj unë vjen si rezultat i një politike të jashtme që është krejtësisht anemike, krejtësisht fëmijërorë e të tria institucioneve kyçe të Kosovës që e bëjnë politikën e jashtme, presidentja, kryeministri dhe ministrja e jashtme. Për gjatë një viti unë nuk kam parë që ata të kenë bërë diçka tjetër përpos përpjekjeve shumë të habitshme, të pa shpjegueshme që Kosovën në botë ta paraqesin si vend të korrupsionin, të krimit dhe duke u përpjekur që Kosova të definohet si e tillë. Në kohën kur të gjithë e dimë besoj që nuk është ashtu”, u shpreh Hyseni./EO