Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim në GJKKO ish-kreun e Bashkisë së Fushë Arrëzit, Fran Tuci dhe dy persona të tjerë, Ndoc Marku dhe Durim Margjekaj.
Nëpërmjet një njoftimi, SPAK bën me dije se nga hetimet ka rezultuar se Tuci, në bashkëpunim me Ndoc Markun, me veprime dhe mosveprime të tyre, kanë çuar në dëmtimin e rëndë, vlerësuar në 234.007.500 lekë, të pasurisë së llojit “fond pyjor” dhe terrenit përkatës, regjistruar në zyrën kadastrale në emër të Bashkisë Fushë Arrëz.
Ndërsa Durim Margjekaj, administrator të firmës “Legjendari” sh.p.k., sipas hetimeve, rezulton se me dashje të plotë dhe të drejtpërdrejtë ka kryer punime ndërtimi infrastrukture pa lejen përkatëse.
Tuci dhe Marku akuzohen për “shpërdorim detyre, ndërsa Margjekaj akuzohet për “ndërtimi të paligjshëm”.
Tuci u vu në pranga më 17 korrik, ndërsa dy ditë më parë ai u transferua në spitalin e burgut për shkak se shfaqi probleme shëndetësore.
Ish-kryebashkiaku Tuci, ka drejtuar pushtetin vendor në Fushë- Arrëz për dy mandate, si i zgjedhur Partisë Socialiste, nga viti 2015 deri para pak muajsh.