Gjykata e Posaçme vendosi të shtunën të pranojë kërkesën e Darjo Jasharit, i akuzuar për një skemë ndërkombëtare të kontrabandës së cigareve, për t’u liruar nga qelia kundrejt garancisë pasurore.
NgaEdmond Hoxhaj–BIRN
Gjykata e Posaçme vendosi të shtunën më 7 mars të zëvendësojë kundrejt 1 milion eurove masën e sigurimit personal “arrest në burg” të caktuar ndaj Darjo Jasharit, i cili së bashku me të atin akuzohen se krijuan një skemë nderkombëtare kontrabande në bashkëpunim me punonjës të Doganave, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej më shumë se 36 milionë eurosh.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Flojera Davidhi.
“Është zëvendësuar masa e sigurimit ‘arrest në burg’ me masën e sigurimit ‘garanci pasurore’ në shumën 1.000.000 euro për personin nën hetim Darjo Jashari,” deklaroi koordinatorja për të drejtën e informimit pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Për këtë skemë te kontrabandës ndërkombëtare të cigareve, SPAK ka vendosur nën hetim 36 persona, mes të cilëve 29 janë punonjës të strukturave doganore që dyshohet se janë implikuar. Për 14 persona u caktuan masa sigurimi personal “arrest me burg”, ndërsa për të tjerët u vendos detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit.
Sipas SPAK, në qendër të skemës së kontrabandës është kompania “Albanian Tabak Fabrika e Cigareve” dhe pronarët e saj të mëparshëm, Ilir dhe Darjo Jashari. Prej shkurtit të vitit të kaluar, Albania Tabak u ble nga kompania “EA TOBACCO’’ në pronësinë e Ergys Agasit, i cili është shpallur në kërkim më vonë për një tjetër aferë, si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
Nga hetimet për kontrabandën e cigareve ka rezultuar se te hetuarit kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim kontrabandimin e cigareve të prodhuara brenda territorit të Shqipërisë për në vendet fqinje e më pas në ato të Bashkimit Evropian, duke përdorur një skemë të sofistikuar. Sipas SPAK, subjekti tregtar, Albanian Tabak ishte pajisur me autorizimin “Regjim Përpunimi Aktiv” nga Dogana Shqiptare dhe prodhonte paketa cigaresh me regjimin fason për llogari të një firme porositëse me seli jashtë territorit të Shqipërisë.
Megjithatë, nga hetimet ka rezultuar se marrëveshja mes subjektit të hetuar dhe shoqërisë porositëse është bërë me qëllimin e vetëm për të shmangur detyrimet doganore dhe se vetë subjekti shqiptar përcakton destinacionin, i cili sipas SPAK rezulton inekzistent.


