I mbijetuari i vetëm i sulmuesve që vranë 130 persona në Paris në vitin 2015 ka thënë në gjykatë se sulmet nuk kishin asgjë personale dhe se u kryen për të marrë hak për sulmet ajrore në Siri dhe Irak.
Salah Abdeslam ishte pjesë e një grupi prej dhjetë burrash, kryesisht francezë dhe belgë, të cilët organizuan një varg sulmesh në kryeqytetin francez më 2015, shkruan Independent
Duke folur gjatë procesit gjyqësor, i dyshuari këmbënguli se vdekja e civilëve ishte rezultat i veprimeve të ish-presidentit francez, Françoise Hollande, i cili i kishte autorizuar sulmet ajrore kundër ISIS-it.
“Ne e luftuam Francën, e sulmuam Francën, e shënjestruam popullsinë civile, por nuk ishte asgjë personale kundër tyre”, tha i pandehuri.
“Françoise Hollande i dinte rreziqet që po i ndërmerrte përmes sulmit ndaj Shtetit Islamik në Siri”, shtoi Abdeslam, duke theksuar se përmes marrjes së atij vendimi, ish-presidenti francez e dinte se do të vdesin disa francezë.
Në mbrëmjen e 12 nëntorit të vitit 2015, Parisi dhe periferia Saint-Denis u goditën nga një varg sulmesh me dallim prej disa minutash me njëri-tjetrin, duke lënë 130 të vrarë e 350 të plagosur.
Abdeslam akuzohet se i ka dërguar me veturë sulmuesit deri te stadiumi kombëtar në natën kritike dhe për planifikim të një sulmi personalisht në po të njëjtën periudhë. Ai ishte arratisur për në Bruksel, por ishte arrestuar katër muaj më pas.

