Bota
I burgosur, sipërmarrës e mercenar. Ulje-ngritjet e Prigozhinit në Rusi
Yevgeny Prigozhin, udhëheqësi i grupit mercenar rus Wagner – i cili është kthyer në figurë kyçe në luftën e Rusisë në Ukrainë, para nisjes së një rebelimi që ka rezultuar me dërgimin e mercenarëve në derë të Moskës – besohet se ka vdekur si pasojë e rrëzimit të një aeroplani në veri të kryeqytetit rus.
Në aeroplanin privat, pronësi e Wagnerit, kanë qenë 10 persona, kur ai është përplasur më 23 gusht, ka thënë Ministria ruse për Emergjenca. Emri i Prigozhinit ka qenë në listën e personave që kanë qenë në aeroplan.
Vëzhguesi i fluturimeve Flightradar24 e ka shfaqur një aeroplan brazilian Embraer 600, të regjistruar në emër të Wagnerit, duke u ikur radarëve në mbrëmjen e 23 gushtit.
Zyrtarët nuk e kanë komentuar ndonjë arsye për rrëzim të aeroplanit.
Agjencia Federale për Transport Ajror të Rusisë, ka thënë se kanë nisur hetimet për incidentin.
Ish i dënuar dhe udhëheqës i një zinxhiri restorantesh në Shën Petersburg, Prigozhin ka fituar famë në Perëndim për krijim të “fabrikës ruse të lajmeve të rreme”, e cila është akuzuar për tentim të manipulimit të votuesve amerikanë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Mirëpo, kompania e tij private Wagner, ka luajtur rol edhe më të madh në politikën e jashtme dhe të brendshme të Rusisë, duke fituar vëmendje globale.
Prigozhin i ka dërguar mercenarët e tij për të luftuar në emër të Kremlinit në Siri, Libi dhe Ukrainë.
Pasi Kremlini e ka nisur një luftë të shkallës së gjerë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, Prigozhin është kthyer në kritik të performancës së ushtrisë ruse dhe kjo pakënaqësi ka rezultuar me konfrontim në qershor të vitit 2023, kur Prigozhini i ka dërguar mijëra luftëtarë për të kryer rebelim kundër komandës ushtarake ruse.
Rebelimi – që Vladimir Putini e ka quajtur “thikë pas shpine” – ka qenë i shkurtër, mirëpo e ka sfiduar presidentin rus si asnjëherë tjetër përgjatë 23 vjetëve të tij në pushtet. Prigozhini ka lindur në atë që dikur ka qenë Leningrad, më 1961, dhe është rritur nga nëna e tij, e cila ka punuar shumë për ta mbështetur financiarisht të birin, pasi i ka vdekur burri.
Si adoleshent, ai është marrë me skijim, mirëpo sërish ka përfunduar në Leningrad, ku është zënë dhe është dënuar për vjedhje – dënimi i parë në listën e tij të gjatë.
Aty përfshihen dënime për vjedhje të armatosura, dhe trafikim të të miturve, për çka është dënuar me mbi nëntë vjet burgim.
Ai është liruar nga burgu më 1990 në kohën kur Bashkimi Sovjetik ka qenë duke u përballur me reformat e Mikhail Gorbachevit.
Bashkë me nënën e tij dhe burrin e dytë të saj, ai e ka hapur një dyqan salsiçesh, e cila ka rezultuar e suksesshme.
“I kam fituar 1.000 dollarë në muaj, ato kanë qenë atëherë një mal me rubla”, pati thënë ai në një intervistë të publikuar më 2011 në revistën e Shën Petersbugut, City 8218.
“Nëna ime as nuk ka arritur t’i numërojë të gjitha”.
Më vonë ai ka punuar dhe ka investuar në një rrjet dyqanesh të quajtur Kontrast, i cili ka qenë në pronësi të një miku të gjeneratës.
Është e paqartë se kur është zhvilluar marrëdhënia e Prigozhinit me Putinin, ndonëse si sipërmarrës në Shën Petersburg, ka shumë mundësi që të ketë kaluar nëpër rrugët e njëjta me Putinin, karriera politike e të cilit ka nisur si kryetar i Shën Petersburgut, më 1999.
Prigozhini raportohet të jetë bërë mik me Putinin përmes sigurimit të tij, e më vonë me shefin e sigurimit të Putinit, Viktor Zolotv, sipas revistës Forbes.
Zolotov e ka përcjell Putinin teksa ky i fundit e ka rritur ndikimin në Moskë, dhe më vonë ka shërbyer si shef i Gardës Kombëtare, një agjenci shumë e rëndësishme për Rusinë.
Sipas faqes së lajmeve Meduza, Prigozhin i ka hyrë biznesit të restoranteve me një sipërmarrës tjetër të Kontrastit në fund të viteve 1990, kur ata e kanë hapur atë që është bërë një prej restoranteve më të famshme të Shën Petersburgut, Staraya Tamozhnya.
Më vonë, ai ka bërë edhe investime tjera, e ka blerë një anije të vjetër dhe e ka kthyer në restorantin New Island, i cili është bërë vend i famshëm për të ngrënë, dhe është vizituar nga Putin dhe mysafirët e tij, përfshirë ish-presidentin francez, Jacques Chirac më 2001, dhe më vonë ish-presidentin amerikan, George W. Bush.
Biznesi i Prigozhinit në fushën e gastronomisë është rritur nën kompaninë e quajtur Concord Catering, duke përgatitur ushqim për shkolla, spitale, burgje dhe më pas për organizime të mëdha në Kremlin, përshirë inaugurimin e Dmitry Medvedevit si president më 2008.
Kontratat e tij me Kremlinin dhe elita tjera ruse, kanë bërë që ai të njihet si “kuzhinieri i Putinit”.
Më 2006, kur Bush ka udhëtuar për një samit në Shën Petersburg me gruan e tij Laurën, ata i ka shërbyer me verë Prigozhini, në një darkë të shtruar nga Putini.
Më 2012, kompanitë e Prigozhinit kanë nënshkruar kontrata të majme me agjenci të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, për të përgatitur ushqimin për ushtrinë e Rusisë.
Pasi në krye të Ministrisë është emëruar Sergei Shoigu, besnik i Putinit, kontrata është shkëputur shpejt, fakt që mund të ketë nxitur armiqësinë mes Prigozhinit dhe Shoigut.
Në fund të viteve 2010, reputacioni i Prigozhinit ka marrë kahe tjetër, pas raportimeve për helmim të fëmijëve nëpër shkolla, por edhe të ushtarëve.
Më vonë, ai e ka krijuar edhe një kompani të patundshmërive në Shën Petersburg, përmes së cilës është përfshirë në konflikte të thella me guvernatorin e qytetit, i cili, po ashtu, ka qenë i emëruar i Putinit.
Koha e saktë e hyrjes së Prigozhinit në ujëra të turbullt me ushtrinë e tij private, nuk dihet, mirëpo vëzhguesit e përmendin konfliktin në Rusi dhe intervenimin e suksesshëm në emër të Qeverisë së Sirisë.
Sipërmarrësit, disa prej të cilëve kanë qenë veteranë të shërbimeve ruse të sigurisë, kanë themeluar një mori kompanish të sigurisë në vitet 2000; të paktën njëra prej tyre e ka siguruar mbrojtjen e anijeve detare tregtare ruse për piratët në brigjet e Afrikës.
Nga moria e kompanive private që kanë punuar në Siri, grupi Wagner është shfaqur rreth vitit 2014, kur Rusia e ka nisur një kryengritje në lindje të Ukrainës. Besohet se Prigozhini ka qenë financues i Wagnerit me vite, mirëpo ai e ka pranuar një gjë të tillë vetëm në shtator të vitit 2022, pasi Rusia e ka nisur luftën e shkallës së gjerë në Ukrainë.
Në Siri, luftëtarët e Wagnerit janë akuzuar për mizori të luftës dhe potencialisht krime lufte edhe në vendet tjera ku kanë luftuar, përfshirë Sudanin dhe Republikën e Afrikës Qendrore. Në këtë të fundit, është thënë se Prigozhin ka nënshkruar koncesione të majme për mihje të arit dhe mineraleve tjera.
Në shtator të vitit 2013, gazetarët rusë kanë nisur të interesohen për një kompani që është themeluar në thellësi të Shën Petersburgut, e quajtur Agjencia për Kërkime për Internet, e njohur gjerësisht si “fabrika e Rusisë për lajme të rreme”. Duke qenë në pronësi të rrjetit të Prigozhinit, Concord, biznesi u ka kërkuar punëtorëve që të hapin llogari të rreme në platformat si Facebook, Twitter dhe VK dhe të nxisin debate e mllef.
Më 2018, dy vjet pasi Donald Trump i ka fituar zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, Departamenti amerikan i Drejtësisë e ka paditur Prigozhinin dhe 13 rusë tjerë, dhe ka lëshuar urdhërarrestim për Prigozhinin, duke e akuzuar për komplot me synim mashtrimet zgjedhore.
Ndonëse hulumtuesit kanë debatuar gjatë për ndikimin e Agjencisë për Kërkime në Internet, në ndikimin mbi votuesit amerikanë, përpjekjet janë parë si sukses për Prigozhinin, duke i falur edhe më shumë vëmendje. Në nëntor të vitit 2022, disa ditë para zgjedhjeve për Kongresin amerikan, Prigozhin e ka lavdëruar veten.
“Zotërinj, ne kemi ndikuar, ne ndikojmë dhe ne do të ndikojmë”, ka thënë Prigozhin.
“Me kujdes, me saktësi, dhe në mënyrë tonë, siç dimë ne”. Lufta e Rusisë në Ukrainë i ka dhënë edhe më shumë nam Prigozhinit dhe pjesëtarëve të Wagnerit.
Zyrtarët rusë dhe komandantët ushtarakë kanë vlerësuar se lufta e nisur në Ukrainë, më 24 shkurt 2022, do të përfundonte shpejt, me dorëzim të forcave ushtarake dhe Qeverisë në Kiev.
Diçka e tillë nuk ka ndodhur, dhe pas shpërfaqjes së problemeve brenda ushtrisë ruse, luftëtarët e Wagnerit kanë dalë në pah, duke marrë rol të rëndësishëm në luftë.
Mercenarët e Wagnerit kanë luajtur rol kyç në betejat në Mariupol dhe më pas në Severodonjeck, Lisiçansk dhe Bahmut. Pas disa muajsh luftë, Prigozhin ka nisur të rekrutojë edhe të burgosur. Ai e ka përkrahur dhunën si mjet për disiplinë dhe kultivim të frikës. Në nëntor të vitit 2022, është publikuar një video në Telegram nga një rrjet i lidhur me Wagnerin.
Në të, një ushtar rus, që besohet se ka ikur në Ukrainë, por është zënë prapë nga forcat ruse, është parë duke u vrarë me çekiç. Prigozhin më vonë e ka pranuar këtë akt.
Sa i përket luftës në Ukrainë, ndonëse trupat e Wagnerit me raste janë treguar më efektive sesa trupat e rregullta ruse, mercenarët e grupit janë përballur me numër të madh viktimash, sidomos në Bahmut.
Zyrtarët perëndimorë kanë përmendur valë të mëdha këmbësorish së ushtarëve – shumë prej të cilëve kanë qenë ish të burgosur – që janë dërguar nëpër pozicione në Ukrainë.
Por, me kalimin e kohës, Prigozhini ka nisur ta kritikojë performancën e komandantëve ushtarakë rusë, sidomos Shoigun, por edhe e ka sfiduar Putinin që të thërrasë mobilizim të përgjithshëm.
Ai është ankuar vazhdimisht se zyrtarët ushtarakë nuk u kanë dhënë forcave të tij municion adekuat.
Më 20 maj 2023, rreth 10 muaj pas nisjes së rrethimit të Bahmutit, forcat ruse kanë pretenduar fitore në qytet.
Putin e ka pranuar rolin e Wagnerit, ndonëse nuk e ka përmendur me emër Prigozhinin.
Ai e ka shfrytëzuar këtë mundësi për t’u tallur me komandantët ushtarakë.
“Shoigu dhe Gerasimov e kanë kthyer luftën në lojën e tyre personale”, pati thënë Prigozhin përmes një videoje.
“Për shkak të tekave të tyre, besohet se pesë herë më shumë ushtarë kanë vdekur. Ata do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre, të cilat rusët i quajnë krime”.
Nëse ky ka qenë kërcënim, Prigozhin i ka qëndruar mbrapa atij disa javë më vonë.
Në qershor të vitit 2023, Prigozhin e ka akuzuar ushtrinë ruse për nisje të sulmeve kundër luftëtarëve të Wagnerit dhe ka kërkuar dorëheqjen e Shoigut.
Në mëngjesin e ditës së re, mijëra forca të Wagnerit kanë hyrë në qytetin jugor Rostov-on Don, duke e marrë kontrollin e objekteve ushtarake, para se të niseshin drejt Moskës, në atë që Prigozhin e ka quajtur “marsh të drejtësisë”.
Kryeqyteti është përgatitur për më të keqen, duke vënë ushtarë në rrugë, duke vendosur barrikada, dhe duke i paralajmëruar moskovitët që të qëndrojnë në shtëpi.
Brenda disa orëve, rebelimi ka përfunduar me shpejtësinë që ka nisur.
Luftëtarët e tij, vetëm 200 kilometra larg Moskës, janë urdhëruar që ta ndalin avancimin, pas arritjes së një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bjellorusia.Putin ka qenë i ashpër, duke e quajtur rebelimin “thikë pas shpine”, dhe është zotuar se do t’i ndëshkojë të gjithë personat e përfshirë.
Mirëpo më vonë, Kremlini ia ka lejuar Prigozhinit ikjen në Bjellorusi dhe ka thënë se pjesëtarët e Wagnerit nuk do të ndiqen penalisht.
Pas përfundimit të krizës, Putin, i cili ka tentuar me vite ta ndërtojë një imazh të burritshtetasit stabil, është kthyer, sipas ekspertëve, në figurë të dobësuar.
Bota
Përleshje vdekjeprurëse midis protestuesve dhe forcave të sigurisë, ndërsa trazirat në Iran shtohen
Trazirat në rritje në Iran raportohet se kanë marrë më shumë jetë njerëzish në ditën e pestë të protestave kundër kostos në rritje të jetesës.
Si agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars, ashtu edhe grupi i të drejtave të njeriut, Hengaw, thanë se dy persona kishin vdekur gjatë përleshjeve midis protestuesve dhe forcave të sigurisë në qytetin Lordegan, në Iranin jugperëndimor. Tre persona të tjerë u vranë në Azna dhe një tjetër në Kouhdasht, raportoi Fars, të gjithë në perëndim të vendit.
Të enjten, videot e postuara në mediat sociale treguan makina të djegura gjatë përleshjeve midis protestuesve dhe forcave të sigurisë.
Shumë protestues kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund sundimit të udhëheqësit suprem të vendit. Disa kanë bërë thirrje gjithashtu për një kthim në monarki.
Ndërsa dita kalonte, vinin më shumë raportime për trazira në të gjithë vendin, në ditën e pestë të protestave, të shkaktuara nga një rënie e monedhës.
Videot e verifikuara nga BBC Persian tregojnë protesta në qytetin qendror të Lordegan, kryeqytetin Teheran dhe Marvdasht në provincën jugore Fars që u zhvilluan të enjten.
Fars raportoi se në Lordegan u vranë dy persona, duke cituar një zyrtar të informuar. Raporti nuk specifikoi nëse të vrarët ishin protestues apo anëtarë të forcave të sigurisë. Gjithashtu raportoi tre vdekjet në Azna, në provincën fqinje Lorestan, pa specifikuar nëse kishte protestues apo zyrtarë të sigurisë.
Grupi i të drejtave të njeriut Hengaw tha se dy të vrarët në Lordegan ishin protestues, duke i identifikuar ata si Ahmad Jalil dhe Sajjad Valamanesh.
BBC Persian nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur vdekjet.
Mediat shtetërore thanë se një anëtar i forcave të sigurisë të lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit (IRGC) u vra në përleshjet me protestuesit të mërkurën në mbrëmje në qytetin Kouhdasht, në provincën perëndimore Lorestan.
BBC nuk ka qenë në gjendje ta verifikojë këtë dhe protestuesit thonë se burri ishte një nga ata dhe u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë.
13 oficerë të tjerë policie dhe anëtarë të Basij u plagosën nga hedhja e gurëve në zonë, tha raporti i medias shtetërore.
Shkollat, universitetet dhe institucionet publike u mbyllën në të gjithë vendin të mërkurën, pasi autoritetet shpallën ditë pushimi bankar në një përpjekje të dukshme për të shuar trazirat.
Në dukje ishte për të kursyer energji për shkak të motit të ftohtë, megjithëse shumë iranianë e panë si një përpjekje për të frenuar protestat.
Ato filluan në Teheran – midis dyqanxhinjve të zemëruar nga një tjetër rënie e ndjeshme e vlerës së monedhës iraniane kundrejt dollarit amerikan në tregun e hapur.
Deri të martën, studentët e universitetit ishin të përfshirë dhe protestat ishin përhapur në disa qytete, me njerëz që brohorisnin kundër sundimtarëve klerikë të vendit.
Protestat kanë qenë më të përhapurat që nga një kryengritje në vitin 2022 e shkaktuar nga vdekja gjatë paraburgimit e Mahsa Amini, një gruaje të re e cila u akuzua nga policia e moralit se nuk e mbante siç duhet vellon. Por ato nuk kanë qenë në të njëjtën shkallë.
Për të parandaluar çdo përshkallëzim, raportohet për masa të rrepta sigurie në zonat e Teheranit ku filluan demonstratat.
Presidenti Masoud Pezeshkian ka thënë se qeveria e tij do t’i dëgjojë “kërkesat legjitime” të protestuesve.
Por prokurori i përgjithshëm, Mohammad Movahedi-Azad, ka paralajmëruar gjithashtu se çdo përpjekje për të krijuar paqëndrueshmëri do të përballet me atë që ai e quajti një “përgjigje vendimtare”.
Bota
24 të vdekur nga një sulm me dron ukrainas, në Kherson
Të paktën 24 persona u vranë dhe më shumë se 50 të tjerë u plagosën në një sulm me dron ukrainas në një hotel dhe kafene në Kherson gjatë festimeve të Vitit të Ri, tha Vladimir Saldo, guvernatori i emëruar nga Rusia i rajonit në jug të Ukrainës.
Në një postim në Telegram, Saldo sqaroi se sulmi ndodhi në Horli, një fshat bregdetar pranë gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e ka aneksuar.
Bota
Kaos dhe dhunë në Holandë gjatë Vitit të Ri, viktima dhe të plagosur nga fishekzjarret
Policia holandeze njoftoi të enjten se gjatë festimeve të natës së Vitit të Ri është përballur me një valë dhune të paprecedentë. Oficerët e rendit u sulmuan me fishekzjarre dhe mjete shpërthyese, ndërsa incidente të shumta u regjistruan në qytete të ndryshme të vendit, duke përfshirë sulme ndaj policisë dhe zjarrfikësve.
Sipas BBC, në Amsterdam u përfshi nga flakët kisha historike Vondelkerk, e ndërtuar në vitin 1872 dhe e vendosur pranë parkut Vondelpark. Zjarri shpërtheu në orët e para të Vitit të Ri, duke shkaktuar shembjen e kullës 50 metra të lartë dhe dëmtime të rënda në çati. Autoritetet bëjnë të ditur se, megjithë dëmet, struktura e kishës pritet të mbetet e qëndrueshme.
Mediat lokale raportuan për dy viktima në Holandë si pasojë e incidenteve me fishekzjarre: një 17-vjeçar nga Nijmegen dhe një burrë 38-vjeçar nga Aalsmeer. Ndërkohë, në Rotterdam, spitali i specializuar për sëmundjet e syrit trajtoi 14 persona me lëndime të rënda okulare, mes tyre 10 të mitur, dhe dy pacientë iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale.

Ngjarje të rënda u shënuan edhe në Gjermani, ku policia e qytetit Bielefeld konfirmoi se dy të rinj 18-vjeçarë humbën jetën pasi përdorën fishekzjarre të prodhuara artizanalisht.
Në qytetin jugor holandez Breda, forcat e policisë u sulmuan me bomba benzine. Kryetarja e Unionit të Policisë, Nine Kooiman, deklaroi se edhe vetë është goditur me fishekzjarre dhe eksplozivë gjatë shërbimit në Amsterdam, duke e cilësuar situatën si jashtëzakonisht të dhunshme dhe të paprecedentë.
Sipas Shoqatës Holandeze të Piroteknikës, shpenzimet për fishekzjarre këtë vit arritën në 129 milionë euro, shifër rekord. Autoritetet kanë bërë të ditur se ndalimi i fishekzjarreve jozyrtare pritet të hyjë në fuqi në vitin 2026.
-
Albania2 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK4 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania6 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK2 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK6 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports4 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
