Një aktakuzë e re është ngritur kundër liderit të Partisë Radikale Serbe dhe të dënuarin për krime lufte Vojislav Sheshel, si dhe katër zyrtarë të tjerë të partisë së tij.
Aktakuza është ngritur nga Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetur në Hagë, pasardhësi i Tribunalit të Hagës kundër liderit radikal Vojislav Sheshelj, si dhe katër zyrtarëve të tjerë të partisë – Miljan Damjanoviç, Ljiljana dhe Ognjen Mihajloviç dhe Miroljub Ignjatoviç, shkruajnë mediat serbe.
“Është e vërtetë që aktakuza është ngritur. Kjo është një aktakuzë e re për shpërfillje të gjykatës”, tha Aleksandar Sheshel, djali i Vojisllav Sheshelit.
“Është një aktakuzë e re për mospërfillje të gjykatës. Është një akt imagjinar që Tribunali i Hagës i ka dhënë vetes të drejtën ta prezantojë si vepër penale dhe kjo do të thotë se çfarëdo që ata të gjykojnë si shpërfillje të gjykatës, ata mund të akuzojnë dikë”, shtoi ai.
Ai shtoi se aktakuza e re u ngrit për shkak se radikalët publikuan libra dhe materiale të tjera të shtypura, si dhe materiale video dhe audio që ekspozojnë dëshmitarët e prokurorisë kundër Vojislav Sheshelj në rastin e tij kryesor.
Në prill të vitit 2018, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, i cili pasoi Tribunalin e Hagës, e dënoi Sheshelin me dhjetë vjet burgim për nxitje të persekutimit, dëbimit dhe zhvendosjes së detyruar të kroatëve në fshatin Hërtkovci të Vojvodinës, në vitin 1992.
Ai ishte në paraburgim në Sheveningen që nga viti 2003 dhe u lirua në nëntor të vitit 2014, për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij.
Koha e kaluar në paraburgim iu llogarit në dënimin e tij, ndërsa ai nuk u kthye në gjykatë kur iu shqiptua dënimi.